Lajme

“Vendet fqinje të Afganistanit”, konferencë në Teheran mbi të ardhmen e shtetit


Presidenti iranian Ebrahim Raisi

Zyrtarë të lartë të shteteve fqinje të Afganistanit do të zhvillojnë në kryeqytetin e Iranit një konferencë njëditore, ku do të diskutojnë mbi situatën pas sundimit nga talebanët.

Takimit të ministrave të jashtëm të Iranit, Pakistanit, Taxhikistanit, Uzbekistanit dhe Turkmenistanit, të mërkurën në Teheran, do t’i bashkohen edhe homologët e tyre nga Kina dhe Rusia përmes një video-lidhjeje.

Fjala hyrëse do t’i takojë presidentit të sapozgjedhur iranian, Ebrahim Raisi, i cili e ka kthyer angazhimin me rajonin një prioritet kryesor në drejtimin e tij të politikës së jashtme.

Të martën, Raisi dhe ministri i jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian zhvilluan bisedime dypalëshe të veçanta me secilin prej ministrave të jashtëm.

Ministria e Jashtme iraniane ka thënë se qëllimi ishte formimi i një fronti të bashkuar midis fqinjëve në thirrjen për formimin e një qeverie “përfshirëse” në Afganistan.

Kontrolli i valëve të refugjatëve, pas marrjes së vendit nga talebanët në gusht, garantimi i sigurisë ekonomike për Afganistanin dhe luftimi i “radikalizmit” janë objektivat e tjerë kryesorë të takimit.

Bisedimet pasojnë një takim virtual në fillim të shtatorit midis ministrave të jashtëm, që u organizua nga Pakistani.

Presidenti i sapozgjedhur iranian, Ebrahim Raisi.
Qëndrimi i Iranit

Irani ka mbajtur qëndrimin e tij zyrtar, duke bërë thirrje për një qeveri “përfshirëse” në Afganistan edhe pasi talebanët njoftuan formimin e një administrate që nuk përfaqëson grupet etnike dhe fetare apo gratë.

Ministria e Jashtme e Iranit ka dënuar ashpër sulmin e armatosur të talebanëve, kundër luftëtarëve të opozitës në Luginën e Panjshir, dhe një seri shpërthimesh vdekjeprurëse të fundit të pretenduara nga Shteti Islamik në Provincën Khorasan, grupi i armatosur ISKP (ISIS-K) që kanë tronditur Afganistanin.

Para tërheqjes së forcave të huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara nga Afganistani në gusht, Teherani priti bisedime ndër-afgane që përfshinin talebanët në fillim të këtij viti.

Një zyrtar i tregtisë taleban njoftoi kohët e fundit se grupi është i etur për të blerë naftë nga Irani dhe shpreson që fqinji i tij perëndimor ta plotësojë kërkesën për të ndihmuar në adresimin e mungesës së karburantit në Afganistan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore