Lajme

Vëllait të Abazoviç-it ia bllokojnë llogaritë në Serbi, “ka mbi 1 milion euro borxhe”


Gjihan Abazoviç, vëllai i kryeministrit të Malit të Zi me mandat teknik, Dritan Abazoviç

Llogaria e kompanisë Vincula Biotech Group në bashkëpronësi të Gjihan Abazoviç, vëllait të kryeministrit të Malit të Zi me mandat teknik, Dritan Abazoviç është bllokuar për shkak të një borxhi prej më shumë se 1 milion euro, sipas të dhënave të Bankës Kombëtare të Serbisë, raporton N1.

Në regjistrin e debitorëve në arkëtim të detyrueshëm shihet se llogaria e kësaj kompanie, e cila është pronare e spitalit BioCell, është e bllokuar.

Gjihan Abazoviç, vëllai i kryeministrit malazez është bashkëpronar i kompanisë me një përqindje të aksioneve.

Ndërsa Milica Gjurgjiç, partnerja e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç, punon në këtë spital si shefe e radiologjisë, sipas informacioneve në faqen e internetit të spitalit.

Spitali BioCell u bë publik dy vite më parë, kur mediat malazeze njoftuan se Abazoviç dhe Gjurgjiç po bëhen bashkëpronarë të klinikës.

Më herët, Gjihan e kishte mohuar për mediat serbe se të qenit vëlla i kryeministrit të Malit të Zi i ka mundësuar atij të planifikojë hapjen e një spitali të ri në Beograd së bashku me Milica Gjurgjiç, partnerja e kryeministres së Serbisë.

“Më ka goditur shkrimi i mediave, ku kryesorja ishte se vëllai im është kryeministër në një shtet fqinj apo shefja e radiologjisë është partnerja e kryeministre në Serbi. Fakti që vëllai im është kryeministër ka marrë shumë më tepër vëmendje mediatike sesa CV-ja ime”, kishte thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore