Sport

Vdes në moshë të re ish-hendbollisti kosovar


Ka vdekur në moshën 39 vjeçare ish-hendbollisti i kombëtares së Kosovës, Valbon Shala.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur Federata e Hendbollit të Kosovës, të cilët lajmëruan se Valboni është ndarë nga jeta të mërkurën mbrëma.

“Valboni, një hendbollist dhe djalosh shembullor, ka vdekur të mërkurën në moshën 39-vjeçare. Kështu Federata e Hendbollit e Kosovës dhe i gjithë komuniteti i hendbollit në vendin tonë ka mbetur pa një person të dashur e të respektuar nga të gjithë”, shkruan FHK.

Valbon Shala ka luajtur shumë gjatë për skuadrën e vendlindjes, Besën e Pejës. Me Besën ka fituar shumë tituj të kampionit e Kupa të Kosovës, ndërsa ka luajtur me sukses edhe në skenën evropiane.

Ai është shquar për angazhimin e madh dhe luftën sportive për ngjyrat e skuadrës së qytetit. Shala ishte pjesë e Besa Famiglia në debutimin evropian, në vitin 2005, i cili ka luajtur në garat evropiane deri në vitin 2012.

Valboni karrierën e tij e ka zhvilluar edhe në disa skuadra tjera të vendit tonë si Vëllaznimi e Vushtrria, ndërsa ishte pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës.

Ai gjithashtu në vitet e fundit karrierë ka bërë në Gjermani.

Në emër të FHK-së, familjen e nderuar Shala e ka ngushëlluar presidenti Eugen Saraçini.

“Mbetëm të shokuar kur na njoftuan për ndarjen nga jeta të Valbonit, një djaloshi të dashur nga të gjithë ne. Kontributi i tij për hendbollin pejan, por edhe për hendbollin kosovar në përgjithësi, do të kujtohet gjithnjë”.

“Klubi Besa Famgas, Peja si qytet, komuniteti i hendbollit pejan dhe kosovar në përgjithësi, sot kanë mbetur pa një lojtar që me paraqitjet e tij ishte shembull për të tjerët. U shprehim ngushëllimet më të sinqerta në emër të gjithë familjes së hendbollit kosovar”, ka shkruar presidenti Saraçini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore