Aplikacione

Vazhdon të përhapet mashtrimi në WhatsApp


Duke u paraqitur si një mik dhe duke kërkuar kodet e sigurisë së mesazheve, mashtruesit vazhdojnë të synojnë përdoruesit e WhatsApp-it dhe njëkohësisht të rrëmbejnë llogaritë e tyre,

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se mashtrimi ka ekzistuar për vite me radhë, por ka vazhduar të tërheqë njerëzit, me viktimat që ndajnë historitë e tyre në mediat sociale.

WhatsApp-i i ka paralajmëruar përdoruesit e vet që kurrë mos t’i dorëzojnë askujt kodet e tyre të sigurisë që vijnë në SMS, edhe nëse duket se mund të jetë një mik i tyre.

Për të kuptuar nëse një përdorues është në shënjestër të një mashtrimi, ai merr një mesazh me tekst me një kod WhatsApp-i gjashtë shifror në mënyrë të papritur.

Ky kod zakonisht nevojitet kur përdoruesi vendos një llogari të re ose kur hyn në llogarinë ekzistuese në një pajisje të re. Por, nëse nuk është bërë një kërkesë e tillë nga ana e përdoruesit, mesazhi mund të jetë i një mashtruesi që përpiqet të identifikohet në llogarinë e tij.

Më pas, mashtruesi dërgon një mesazh WhatsApp-i duke kërkuar kodin gjashtë shifror. Dhe në këtë mënyrë ai arrin të rrëmbejë llogarinë.

“Mora një mesazh në WhatsApp nga shoqja ime e mirë Michelle, duke thënë se ajo kishte dalë nga llogaria e saj”, ka treguar për BBC një viktimë e mashtrimit, e quajtur Charlie.

“Ajo tha se aksidentalisht e dërgoi kodin e hyrjes në telefonin tim në vend të saj dhe pyeti nëse mund ta fotografoja ekranin dhe t’ia dërgoja”, vazhdoi ai.

Dhe Charlie i kishte dërguar mashtruesit kodin e hyrjes për llogarinë e tij.

“Unë mendoj se e pranova, sepse të gjithë e dimë se sa teknologji zhgënjyese mund të jetë dhe unë isha i etur për ta ndihmuar”, shtoi ai duke thënë se iu desh një ditë e tërë për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur.

Charlie tregoi për BBC se e kishte fshirë WhatsApp-in dhe nuk do ta përdorte më atë. Në vend të WhatsApp-it kishte kaluar te iMessage-i i Apple-it.

Çfarë bëjnë mashtruesit me llogaritë e vjedhura?

Me një llogari të vjedhur, rrëmbyesi mund të dërgojë mesazhe te miqtë dhe të afërmit e përdoruesit të aplikacionit dhe të shtiret sikur është poseduesi i vërtetë i llogarisë.

Mirëpo, kjo është problematike pasi ata mund të pretendojnë se janë duke kaluar një krizë dhe prej kësaj të kërkojnë para nga kontaktet e përdoruesit.

Mashtruesi mund t’ju japë atyre numrat e telefonit të kontakteve në mënyrë që ata të mund të provojnë mashtrimin me kodin gjashtë shifror me viktima të reja.

Por, mund që mashtruesi të hyjë gjithashtu në bisedat në grup, ku mund të shohë informacione të ndjeshme.

Si mund të mbrohet përdoruesi?

WhatsApp-i ka thënë në një deklaratë se “siguria e përdoruesve tanë dhe mesazhet e tyre janë me të vërtetë të rëndësishme për ne…ashtu si SMS ose thirrjet e rregullta telefonike, është e mundur që përdoruesit e tjerë të WhatsApp-it që kanë numrin tuaj të telefonit t’ju kontaktojnë”.

Për të shmangur mashtrimin përdoruesit nuk duhet t’i japin askujt një fjalëkalim ose kod sigurie në SMS  madje as miqve ose familjarëve dhe duhet që të mundësojnë verifikimin me dy hapa për një shtresë shtesë mbrojtjeje.

Gjithashtu përdoruesit duhet të jenë vigjilent nëse marrin një mesazh që ju kërkon para. Dhe nëse përdoruesi ka dyshime duhet të telefonojë shokun ose anëtarin e familjes tuaj për të kontrolluar.

Për këtë, WhatsApp-i ka një udhëzues në faqen e tij të internetit për të ndihmuar njerëzit të mbajnë llogaritë e tyre të sigurta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore