Gjykata Speciale

Vazhdon gjykimi i komandant “Ujkut” në Hagë


Pjetër Shala

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, këtë të hënë, duke filluar nga ora 09:30, do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, gjërësisht i njohur me nofkën komandant “Ujku”, i cili akuzohet për krime lufte.

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett, njoftoi javën e kaluar se të hënën do të nisin deklaratat përmbyllëse në gjyqin ndaj Shalës. Nga mbrojtja e ish-komandantit të UÇK-së, deklaratat përmbyllëse do të dëgjohen të martën dhe të mërkurën (16 dhe 17 prill).

“Deklaratat përmbyllëse të ZPS-së në gjyqin e Pjeter Shalës do të jenë kryesisht të hapura për publikun. Mund të zgjasë gjithë të hënën dhe një pjesë të së martës”, njoftoi zëdhënësi i ZPS-së në një përgjigje për mediat.

Ndryshe, prokurorët specialë kanë ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje. Ata kanë pretenduar se Shala ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, të cilët konsideroheshin kolaboracionistë.

Shala, i cili akuzohet nga ZPS-ja për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku edhe supozohet se janë keqtrajtuar njerëz dhe një prej tyre u vra, në nisje të gjykimit në Hagë, deklaroi se të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara. Ai u arrestua më 16 mars 2021, ndërsa gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt 2023.

Ai ngarkohet për krime të pretenduara lufte që u kryen midis majit dhe qershorit 1999, ndaj personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila pretendohet se kontrollohej nga UÇK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore