Kosova

Vazhdojnë pritjet e gjata tek pikat kufitare


Pika kufitare tek Dheu i Bardhë.

Dheu i Bardhë dhe Merdarë po vazhdojnë të jenë më të ngarkuara sa i përket kolonave dy pikat kufitare.

Kjo është bërë e ditur nga raporti i Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ku të dhënat e fundit raportojnë se ka pritje deri në dy orë në këto dy vendkalime kufitare, për të hyrë dhe për të dalë nga Kosova.

Në hyrje të Merdares kolonat arrijnë deri 1000 metra, ndërsa te Dheu i Bardhë deri 500 metra.

Kurse, vendkalimet tjera janë të lira për qarkullim dhe nuk raportohet për kolona.

Në vazhdimësi ditëve të fundit ka pasur pritje të gjata në këto pika kufitare.

Qendra Kombetare për Menaxhim Kufitare.

Më 21 korrik, deri në 5 orë kanë qenë pritjet për mërgimtarët për të hyrë në Kosovë.

Sipas të dhënave të cilat ishin publikuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pritjet në pikën kufitare te Dheu i Bardhë ishin deri në 4 mijë.

Ndryshe, çdo vit në pikat kufitare krijohen kolona të tilla për shkak të ardhjes të diasporës.

Ekonomia vazhdon të jetë e varur nga paratë që diaspora dërgon në Kosovë.

Paratë e dërguara dhe ardhja e tyre për pushime në Kosovë, vazhdojnë të përmenden si një ndër faktorët kryesorë për rritje ekonomike në 7.1 për qind në këtë vit nga -5.3 për qind sa kishte rënë vitin e kaluar.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore, të publikuar më 6 tetor të 2021, thuhej se aktiviteti ekonomik në Kosovë gjatë vitit pritet të zgjerohej në 7.1 për qind, rritje kjo e nxitur nga vizitat e diasporës dhe masat mbështetëse fiskale.

Në periudhën afatmesme, sipas raportit, rritja ekonomike do jetë e kushtëzuar nga përshpejtimi i procesit të vaksinimit kundër COVID-19 dhe menaxhimit të pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore