Kosova

Varrezat masive me shqiptarë të vrarë, “të bëhet presion më i madh për t’i hapur arkivat Serbia”


Me përmirësimin e motit do të rifillojnë gërmimet në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë, ku dyshohet se janë varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Koordinatori i delegacionit të Kosovës, për persona të pagjetur, Ibrahim Makolli, tha për Albanian Post se gërmimet u ndalën pasi kështu vendosën ekspertët e Mjekësisë Ligjore.

“Do të rikthehemi në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak për të vazhduar me gërmimet vlerësuese në tërë hapësirën dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës, të vrarë e masakruar dhe të bartur në këtë lokacion me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit”, tha Makolli.

Lokacioni ku dyshohet se janë fshehur trupat e njerëzve të vrarë është konservuar, andaj Makolli beson se vendi nuk do të dëmtohet deri në rifillimin e gërmimeve.

“Lokacioni është konservuar për të evituar dëmtimin e mundshëm. Konservimi i lokacionit është bërë brenda standardeve  të pranuara profesionale”, shton ai.

Pos Kizhevakut, ka dyshime edhe për lokacione të reja të varrezave masive në Serbi.

Makolli i përmend disa prej tyre, si ato “në regjionin e Rashkës dhe regjionin e Novi Pazarit, por pa përjashtuar edhe lokacionet e  varrezave masive në të cilat është punuar në vitet e para të pasluftës”.

Sipas tij, edhe në Kosovë që nga paslufta është gjurmuar në qindra lokacione në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës.

“Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi punuar në të paktën nëntë lokacione brenda territorit të Kosovës, krahas lokacionit në Kizhevak, Serbi”, theksoi ai.

Sfidë për institucionet e Kosovës mbetet mungesa e informacioneve të besueshme.

Për këtë Makolli ka kërkuar presion më të madh ndaj palës serbe nga partnerët ndërkombëtarë për t’i hapur arkivat e ushtrisë, “për të shtuar edhe më shume trysni ndaj Beogradit zyrtar për hapje të arkivave në veçanti të ish-Ushtrisë Jugosllave”.

Ai iu ka bërë thirrje edhe  qytetarëve ose kushdo që mund të ketë një informacion që mund të ndihmojë në këtë proces ta ndajnë me institucionet kompetente.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan rreth 6 mijë e 500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore