Lajme

Vaksinohen tre mijë punonjës shëndetësor në Kosovë


Rreth tre mijë punonjës shëndetësor janë vaksinuar me vaksinën anti-COVID në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, në një konferencë për media.

“Nëse i referohemi shifrave të përgjithshme që nga fillimi e deri më tani, jemi duke iu përafruar shifrës prej tre mijë të vaksinuarve kryesisht nëpunës të institucioneve shëndetësore publike”, ka thënë Hoti.

Në mesin e të vaksinuarve janë edhe personeli shëndetësor i Policisë së Kosovës. Kurse vaksinimi i personave të moshës mbi 80 vjeç, pritet të fillojë nga fundi i kësaj jave.

“Nga fundi i javës, ne presim që të fillojë vaksinimi i grup moshës mbi 80 vjeçare, në mënyrë që ky proces përveç personelit shëndetësor të përfshijë edhe grupet e tjera të cilat gjithashtu janë të targetuara si grupe të riskut”, shtoi Hoti.

Tutje ai ka treguar se të martën me gjashtë prill, pritet të fillojë vaksinimi i stafit mjekësor të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Gjatë kësaj kohe janë vaksinuar pjesa e shërbimit shëndetësor që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës ndërsa presim që nesër të vaksinohen edhe shërbimet shëndetësore që veprojnë në kuadër të FSK-së”, tha ai.

Ndërkohë, sipas statistikave të Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 94 mijë e 167 ku 14 mijë e 284 mbesin raste aktive.

Ndërsa të hënën e 28 marsit, në Kosovë ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër Coronavirusit, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore