Lajme

Ushtria izraelite ka rimarrë kontrollin e të gjitha qyteteve kufitare të Gazës, sipas IDF-së


Zëdhënësi i lartë i Forcave të Mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari, deklaroi se trupat izraelite kanë rifituar kontrollin e të gjitha qyteteve në kufirin e Gazës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “The Times of Israel”.

Zyrtari thotë se incidentet e përleshjeve mes trupave dhe terroristëve palestinezë në orët e fundit janë “izoluar”.

Hagari shtoi se në Këshillin Rajonal Shaar Hanegev tre terroristë u vranë nga trupat; në Be’eri u vra një; në Holit dhe Sufa u vranë pesë; dhe në Alumim u vranë katër.

Ai pohon se aktualisht nuk ka luftime në asnjë qytet.

“Është e mundur që të ketë ende terroristë në zonë”, u shpreh Hagari.

Hagari thotë se thyerjet e barrierës kufitare të Gazës do të sigurohen fizikisht me tanke, të cilat do të mbështeten nga helikopterë luftarakë dhe dronë.

Ai thotë se ushtria ka evakuuar 15 nga 24 qytetet në kufi dhe do të vazhdojë të evakuojë të tjerat në ditën e ardhshme. Sderoti nuk do të evakuohet në këtë fazë, thotë ai.

Hagari thotë se rreth 4 mijë e 400 raketa janë lëshuar drejt Izraelit që nga fillimi i luftimeve të shtunën në mëngjes.

Lidhur me draftin e rezervistëve, Hagari thotë se IDF-ja “kurrë nuk ka mobilizuar kaq shumë rezervistë kaq shpejt – 300 mijë rezervistë në 48 orë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore