Lajme

Ushtarët ukrainas nga ishulli Zmeiny janë ende gjallë


Ushtarët ukrainas nga ishulli Zmeiny janë gjallë dhe në robëri.

Ky është raportimi më i fundit i Marinës së Forcave të Armatosura të Ukrainës.

“Ne jemi shumë të kënaqur të mësojmë se vëllezërit tanë janë ende gjallë”, nënvizohet në deklaratë.

Marina shtoi më tej se propaganda ruse po përpiqet të vërvisë “lajmet” se autoritetet ukrainase gjoja “harruan”, “varrosën” vartësit e tyre.

“Në të njëjtën kohë, marinsat zmbrapsën me guxim dy herë sulmet e pushtuesve rusë. Për shkak të mungesës së municioneve, ata nuk ishin në gjendje të vazhdonin mbrojtjen e ishullit”, vijojnë autoritetet ukrainase

Marina kujtoi atë që kanë harruar të raportojnë forcat ruse. Në ishull janë shkatërruar plotësisht sipas tyre, fari, kullat, antenat dhe gjëra të ngjashme.

Prandaj, lidhja me ishullin e gjarprit u ndërpre, sqarojnë ata.

Përpjekjet e shumta për të kontaktuar personelin dhe për të mësuar për fatin e tyre ishin të kota.

Ndërkaq bombardimet e vazhdueshme nga anijet luftarake dhe avionët e Federatës Ruse nuk lejuan ofrimin e ndihmës për marinsat, zbulojnë autoritetet vendase.

Beteja për ishullin e Gjarprit

Më 24 shkurt, autoritetet raportuan se trupat ruse kishin pushtuar ishullin ukrainas të Detit të Zi, Zmeiny, duke vrarë 13 roje kufitare.

Dy luftanije ruse iu afruan ishullit, kryqëzori Moskva dhe korveta patrulluese Vasily Bykov.

Ata u ofruan luftëtarëve të çetës kufitare Izmail, të vendosur në ishull, të dorëzoheshin. Ata refuzuan.

Sipas një regjistrimi në radio të një dialogu mes tyre, rojet kufitare ukrainase kanë marrë një mesazh.

“Unë jam një anije luftarake ruse. Propozoj të lini armët dhe të dorëzoheni për të shmangur gjakderdhjen dhe viktima të pajustifikuara. Përndryshe, do të bombardoheni. dhe sulmoheni. A e kuptuat, marrje?”.

Ndërsa përgjigja e ukrainasve u bë virale teksa i thanë anijes ruse “të shkonte në djall”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore