Kosova

Ura e Ibrit riaktualizohet përsëri: Kosova thotë se kushtet për hapjen e saj janë plotësuar, BE-ja do negociata


Foto nga Albanian Post

Ura mbi lumin Ibër mund të jetë çështja e radhës që mund të rrit tensionet në Veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi që institucionet kosovare po kërkojnë që e njëjta të hapet për qarkullim të automjeteve, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po sugjeron që kjo temë të zgjidhet në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, teksa përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe Beogradi zyrtar po e kundërshtojnë ashpër një veprim të tillë.

Çështja e hapjes për qarkullim të automjeteve nw urën mbi lumin Ibër u riaktualizua të mërkurën, pasi që Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se ura shumë shpejt do të hapet.

“Konsideroj që është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapët dhe si do të hapet. Një herë e patëm përmend që ka mundësi me u hap ura dhe me u mbushë me autoblinda në një farë vendi, por jemi duke e diskutu me eprorët tanë se si ka mundësi kjo të bëhet. Nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapet është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shumë shpejt do ta kemi edhe urën e hapur”, tha Elshani të mërkurën.

Vendimi për hapjen e urës ishte marrë më 28 prill të vitit të kaluar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, që ishte propozuar nga asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, por ishte kundërshtuar ashpër nga Serbia, madje edhe nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç, derisa komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që kjo temë të trajtohet në dialog.

Me t’u riaktualizuar kjo temë, pra pas deklaratës së Elshanit, të partë që reaguan ishin, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit.

Ashtu edhe siç pritej, përmes një komunikate për media, nga partia që kontrollohet nga Serbia, kanë thënë se një veprim i tillë është i papranueshëm, dhe, sipas tyre, përshkallëzon situatën.

“Njoftimi i regjimit të Albin Kurtit se planifikon të hapë urën kryesore të qytetit në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve është një veprim absolutisht i panevojshëm, i papranueshëm dhe përshkallëzues që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”, kanë propaganduar nga kjo listë.

Reagim pati edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna Lachana, i tha “Albanian Post” se çdo vendim lidhur me urën mbi lumin Ibër duhet të merret pas negociatave në dialogun e ndërmjetësuar nga Unioni.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me Urën duhet të bëhet në kuadër të Dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lachana për AP.

Lachana, ndër të tjera, ka potencuar se BE-ja kërkon si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dala nga procesi i dialogut të Brukselit pa vonesë, përfshirë edhe Marrëveshjen për Urën mbi lumin Ibër.

“Të gjitha marrëveshjet e Dialogut duhet të zbatohen pa vonesë, pa asnjë parakusht apo lidhje me çështje që nuk kanë lidhje. BE mbetet e gatshme për të lehtësuar bisedimet”, ka shtuar ajo.

Ndërsa, dy ditë pas paralajmërimit të Elshanit dhe një ditë pas reagimeve, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, më 31 maj, kanë kërkuar që të zbatohet vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër për trafik.

Aida Ferati-Doli, asambliste e LVV-së, ka theksuar se çështja e urës mbi Ibër ishte diskutuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2015, dhe sipas saj, “është mbyllur kjo çështje”.

Çështja e urës, në prizmin e Ferati-Dolit, i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut si dhe Kosovës.

“Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje”, tha ajo në fjalën e saj.

Për hapjen e urës mbi Ibër u deklarua pro edhe kryetari i Kuvendit Komunal, Nexhad Uglanin.

Ai potencoi se është për lëvizjen e lirë “sipas standardeve evropiane”, derisa shtoi se zbatimi i vendimit për çështje e urës është i obligueshëm për autoritetet lokale.

“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, deklaroi ai.

Në lidhje me rihapjen e urës së Ibrit, më 29 prill të vitit të kaluar, kishte reaguar edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovës (KFOR), të cilët kishin potencuar se kjo gjë mund të bëhet vetëm përmes dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e BE-së.

Ndryshe, Ura mbi lumin Ibër ishte ndërtuar për të bashkuar qytetin e Mitrovicës, por ajo shpejt u bë simbol i ndarjes në baza etnike.

Ka pasur shumë përpjekje për hapjen e saj, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ndodhi, madje atje qëndronin edhe trupat e KFOR-it, që ishin garant për sigurinë në atë pjesë problematike të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore