Lajme

KFOR: Rihapja e urës së Ibrit duhet të zgjidhet përmes dialogut politik


Ilustrim

Misioni i KFOR-it në Kosovë është deklaruar pas vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Mitrovicës së Veriut për ta hapur urën mbi lumin Ibër për qarkullim.

Në një komunikatë për media nga KFOR-i është thënë se “rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik”.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij; bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ilustrim: Trupat e KFOR-it

Ndërkaq, nga KFOR-i u potencua gjithashtu se “do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE-ja të mund të ecin përpara”.

Ndryshe, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, të premten e 28 prillit vendosi që të lejojë qarkullimin në urën mbi lumin Ibër.

Vendimi sipas kryesuesit të Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nedzat Ugljanin, ka ardhur me propozim të delegates, Aida Doli, për çka 13 asamblistë kanë votuar pro, një kundër nga komuniteti serb dhe një abstenim nga komuniteti shqiptar.

Nedzat Ugljanin,

Ura e Ibrit ishte ndërtuar për të bashkuar qytetin e Mitrovicës, por ajo shpejt u bë simbol i ndarjes në baza etnike.

Ka pasur shumë përpjekje për hapjen e saj, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ndodhi, madje atje qëndronin edhe trupat e KFOR-it, që ishin garant për sigurinë në atë pjesë problematike të Kosovës.

Mirëpo, një gjë e tillë mund të ndryshojë pas vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Gjithashtu, ky vendim hasi në kundërshtime të ashpra nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, drejtorisë i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, dhe partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njëkohësisht e dirigjuar nga Beogradi, Lista Serbe.

Të gjithë këta ishin njëzëri në deklarimin e tyre kundër vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore