Libra

Universiteti i (pa)denjë


Ilustrim

Universiteti, si institucion i lartë edukativ, është maja e kulturës intelektuale dhe morale e një shteti. Jeta intelektuale identifikohet me universitetin. Universiteti është vendi që ofron jetën adekuate për studiuesit, vendi ku mund t’i kryejnë hulumtimet, shkrimet, ku mund t’i shpalosin depërtimet shkencore, letrare, filozofike etj.

Në të kaluarën, intelektualët më shumë janë varur prej patronëve të pasur të cilën kanë financuar jetën e tyre kushtuar mendjes dhe prodhimeve shkencore ose artistike, dhe anasjelltas, intelektualët kanë këshilluar princër e mbretër, ose kanë shtuar prestigjin e patronëve me veprat e tyre nën atë ombrellë, dhe/ose kanë aplikuar dijen e tyre ose personalisht ose përmes pozitës që kanë ushtruar.

Në shekullin 19, me ngritjen e sistemit universitar modern, intelektuali “ngritet” edhe më tej në rolin e tij në shoqëri, si prodhues i dijes për shoqërinë në tërësi, për zhvillimin e dijeve praktike dhe profesioneve prodhuese, por edhe atyre teorike, si dije për hir të dijes.

Universiteti modern, për dallim nga universitetet e së shkuarës, ishte shndërruar në industri masive të dijes. Moderniteti jo vetëm që kishte sjellur një dinamikë krejtësisht të re të jetës me urbanizimin, industrializmin e prodhimin masiv, por edhe e kishte ribërë jetën intelektuale, dhe mënyrën se si intelektualiteti zhvillohej.

Universiteti tanimë duhej ti përgjigjej modernizimit rapid të jetës, dhe t’i nënshtrohej ose ishte në funksion të, miërmbajtjes dhe prodhimit të asaj lloj dije që qëndron konform zhvillimit të kësaj strukture të re shoqërore-industriale.

Walter Benjamin, filozofi dhe kritiku i madh letrar gjermano-hebre, plotësisht i vetëdijshëm ndaj këtij ndryshimi esencial në jetën intelektuale që po sillte modernizimi, dhe se si universiteti ishte shndërruar në fabrikë, edhe për nga përmbajtja edhe për nga mënyra se si po funksiononte, shkroi se “vokacioni historik i studentëve ishte çlirimi i së ardhmes”.

Ai bënte një dallim rrënjësor mes studiuesit që esencën e mendjes së tij i’a dedikon të diturit për hir të të diturit, si mënyrë e të jetuarit me dijen, dhe studentit “vokacional”, që studionte thjesht për t’u ingranuar profesionalisht në sistemin modern industrial, t’i merrte kredencialet, dhe ti shërbente kësaj kërkese prodhuese, në favor të një page.

Në njëfarë mënyre, Benjamini po e vajtonte shuarjen e një institucioni, që për njerëz dhe studies si ai ishte “i shenjtë”, dhe ngritjen e një sistemi arsimor që diktohet nga rregullat e tregut, universitete që prodhojnë mirëmbajtës të këtij sistemi ultra kapitalist, si profesione të tregtueshme brenda dizajnit të saj eksploatues.

Max Weber, sociologu dhe teoricieni më i rëndësishëm mbi zhvillimin e shoqërisë perëndimore, po ashtu e shihte universitetin modern në një gjendje të mjerueshme. Gjendja në të cilën kishte rënë dija që prodhohej në këto institucione, ishte për t’u shqetësuar.

Ligjërata e tij e famshme që e mbajti më 7 nëntor 1917 në teatrin Steinickesaal, që në shqip është përkthyer “Shkenca si profesion”, hodhi dritë mbi këtë temë.

Weberi së pari shikon kushtet materiale të universiteteve. Mësimdhënia e tmerrshme, diskriminimi, shfrytëzimi i fuqisë punëtore, punësimi arbitrar, dhe një kuptim krejtësisht bizensor dhe i pashpirtë i studiuesit.

Universiteti prej një universi-letrash, në sy të Weber-it, ishte bërë univers-kapitalist, e rregulluar në burokraci të thatë dhe mekanike, dhe e quante Amerikanizim të universiteteve, si ndërmarrje kapitaliste shtetërore.

Për të arritur diçka me vlerë brenda këtyre sistemeve universitare, studiuesi duhej të vendoste “syzet bllokuese” të specializimit, dhe ti përkushtohet një çështje të një domeni rreptësisht definitiv. Ai duhej të shndërrohej në njeri metodik, industrioz, të preokupohej me pyetje që prodhojnë fryte prodhuese.

Për këtë arsye Weber përdor fjalën “çmagjepsje”. Njeri modern është njeri i çmagjepsur, ai jeton në një univers që nuk ka kuptim, që nuk e habit, nuk e frymëzon, gjithçka i nënshtrohet një mekaniciteti jetësor të padinjitetshëm në raport me të. Krejt çka i mbetet njeriut, është të krijoj vetë magjepsjen, ti jep vetë kuptim jetës dhe punës që bën. Çmagjepsja është barrë.

Por, Weber, është më optimist në këtë aspekt. Përveç se barrë, ne kemi mundësinë të gjenerojmë kuptime të reja. Përmes punës që bëjmë, ne duhet të besojmë se përsosmëria është në potencialitetin e së ardhmës tonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore