Lajme

UNICEF dhe OBSH, thirrje Kosovës që të rrisin shkallën e vaksinimit


Vaksinimi në Kosovë.

UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kanë apeluar për intensifikimin e përpjekjeve për t’u siguruar të gjithë qytetarët e Kosovës që marrin vaksinat.

Kjo thirrje është bërë në kuadër të Javës Botërore të Imunizimit, që festohet çdo vit gjatë javës së fundit të prillit.

“Kjo javë bën bashkë partnerët për të promovuar dhënien e vaksinave për t’i mbrojtur personat e të gjitha moshave nga sëmundjet. Udhëhequr nga UNICEF-i dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, tema e Javës Botërore të Imunizimit për këtë vit është #Jetë e gjatë për të gjithë”.

Ndërsa, është sqaruar se kjo thirrje është bërë për t’i nxjerrë në pah arritjet historike në fushën e vaksinimit përreth botës.

“Për më shumë se dy shekuj, vaksinat kanë ndihmuar që fëmijët dhe të rriturit të mbrohen nga sëmundjet serioze dhe vdekjeprurëse. Vaksinat janë një nga arritjet më të avancuara të shkencës moderne, me ndihmën e të cilave është arritur që të përgjysmohet vdekshmëria e fëmijëve dhe të shpëtohen miliona jetë në botë”.

Gjithashtu, theksohet edhe ngarkesa mbi shërbimet shëndetësore.

“Në aspektin global, pandemia COVID-19 ka paraqitur një ngarkesë të madhe mbi sistemet dhe shërbimet shëndetësore, gjë që paraqet kërcënim për progresin e arritur deri më tani në imunizimin rutinë në botë, përfshirë edhe Kosovën”.

Vaksinimi në Kosovë.

“Një shifër alarmuese prej 23 milionë fëmijësh nuk janë vaksinuar në vitin 2020. Ky numër mund të zvogëlohet vetëm nëpërmjet një angazhimi më të madh dhe investimit në shërbimet e imunizimit nga ana e të gjithëve”.

Mangësi më e madhe e vaksinimit është vërejtur te fëmijët, të cilët nuk janë plotësisht të vaksinuar.

“Më shqetësuese është fakti që të dhënat shfaqën pabarazi të theksuara, për shembull, mbulimi i plotë me imunizim ishte bërë vetëm për 38 për qind të fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian (për të njëjtën grupmoshë), do të thotë më pak se gjysma e përqindjes së të gjithë fëmijëve në Kosovë”.

“Brenda pak më shumë se një viti, gjithsej 6,300 fëmijë – shumica e tyre nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian – u identifikuan me të dhëna jo të plota të vaksinimit dhe u ofrua mbështetje që të vaksinoheshin nga ekipet mobile të vaksinimit të Mjekësisë Familjare përmes fushatës së imunizimit”, thuhet në njoftim.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë që nga fillimi i vitit 2021 në mbështetjen e Kosovës në aspektin e planifikimit dhe shtrirjes së vaksinimit kundër COVID-19, duke përfshirë trajnimin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe krijimin e vendeve të caktuara për vaksinim.

Përkundër përpjekjeve kolektive, me mbulim vaksinimi prej 50 për qind deri më tani (të paktën me një dozë), kosovarëve u kërkohet ta rrisin shkallën e vaksinimit për t’u mbrojtur nga sëmundjet e mundshme serioze.

UNICEF-i dhe OBSH-ja bashkërisht theksojnë se duhet kërkuar çdo mundësi për t’i vaksinuar fëmijët dhe të rriturit sipas kalendarit rutinë të imunizimit.

Të gjitha vaksinat e parakualifikuara nga OBSH-ja janë të sigurta dhe efikase.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar se brenda 24 orëve, janë regjistruar 23 raste të reja me COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga 869 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 14 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 442.

Brenda 24 orëve të fundit në Kosovë janë vaksinuar gjithsej 57 persona.

Ndërkaq, 821 mijë e 763 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore