Shqipëria

“Unë jam diplomate, jo peshkatare”


Frytet e Reformës në Drejtësi janë të prekshme tashmë, me ngritjen e strukturave si Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit apo Byroja Kombëtare e Hetimit.

Ndër mbështetëset më të forta të kësaj reforme, është edhe Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Në një vizitë në Vlorë gjithsesi, ajo e përforcoi qëndrimin e saj strikt në luftën kundër krimit, por cilësoi se “nuk është peshkatare, por diplomate”.

“Reforma në Drejtësi po shkon përpara”, tha Kim për gazetarët në një vizitë në Pustec. “Por, njerëzit duhet të jenë më kërkues ndaj qeveritarëve”.

“Tani është koha të vazhdojmë përpara. Mos u dorëzoni”, ravijëzoi Kim.

Mbi njerëzit që mendojnë se kjo reformë është asgjë, Kim i bëri thirrje publikut të mos i dëgjojnë këta persona, pasi po gënjejnë. Kjo, duke i dhënë dhe një shtysë qytetarëve, që të mbështesin institucionet e formuara.

“Nuk është vetëm Reforma e Drejtësisë. Është bukuria e Shqipërisë dhe shqiptarëve që i jep shpresë”, përfundoi komentin e saj për mediat Kim.

Zotimi për Drejtësi

“Ka ardhur koha të hamë peshkun e madh”.

Kështu do të deklaronte në vitin 2018, ish-ambasadori amerikan, Donald Lu. Mirëpo, në mandatin e tij, nuk u arrit kjo gjë.

Me ardhjen e Kim, një sërë institucionesh filluan që përtej ngjizjes, të formësoheshin.

Fillimisht, ishte struktura e SPAK-ut dhe më pas ajo e BKH, e cila së fundit ka nisur edhe trajnimin e hetuesve të parë, pasi mbylli fazën e parë përzgjedhëse.

Të dy këto institucione, janë investim shtetëror amerikan dhe angazhim i veçantë i ambasadores Kim.

“Kini besim, drejtësia po vjen”, do të paralajmëronte ajo në mënyrë të herë pas hershme. Lajmërime, të cilat filluan të kishin efekt në botën e krimit me disa dosje të nxehta.

Por, mbi të gjitha, lajmërime që çuan në rrjetën e drejtësisë, një figurë të lartë institucionale në Shqipëri.

Pas shpalljes si non grata në vitin 2019, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, u dënua nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krim të Organizuar, me dy vjet burg.

Ky vendim, i shpallur një ditë pas publikimit të faktit se ish-kryeministri, Sali Berisha, do të ishte non grata në SHBA, do të ishte i vyer për vazhdimësinë e reformës, në të cilën Kim ishte angazhuar.

Ajo do të vijonte përgëzimin e punës së Reformës në Drejtësi. “Janë hapa të vegjël, por kini durim”, vijonte thirrjet e saj ambasadorja.

Kështu, drejt gjysmës së mandatit të saj, Yuri Kim ka ndërmarrë një sërë veprimesh dhe ka shpërfaqur një sërë qëndrimesh, të cilat janë më të forta dhe domethënëse se sa pararendësit e saj.

Një zë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, mbi të cilin mund të argumentohet ka qenë ndër më aktivët në 30 vjet raporte SHBA-Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore