Lajme

Ukrainasit janë të rrezikuar edhe nga minat e re tokësore ruse


Forcat ruse po përdorin një model të ri arme në Ukrainë, ndërsa sulmet ndaj objektivave civile intensifikohen dita-ditës.

Bëhet fjalë për një minë tokësore, e pajisur me sensorë, në gjendje për të dalluar kur dikush apo diçka lëviz aty pranë.

Sipas organizatës “Human Rights Watch” – një grup udhëheqës i të drejtave të njeriut, i cili ka shqyrtuar fotot e siguruara nga ushtria e Ukrainës – teknikët ukrainas të bombave zbuluan pajisjen, të quajtur POM-3, javën e kaluar pranë qytetit lindor të Kharkiv-it.

Llojet e vjetra të minave tokësore zakonisht shpërthejnë kur i shkel aksidentalisht, ose prekin telat e bashkangjitur. Ndërsa sensori sizmik i POM-3 “kap hapat” që afrohen dhe mund të dallojë në mënyrë efektive, nëse i përkasin njeriut apo kafshëve.

Grupet humanitare, që bëjnë fushatë kundër përdorimit të minave tokësore, thanë se POM-3 do të bënte përpjekjet e ardhshme për të lokalizuar dhe shkatërruar municionet e pashpërthyera në Ukrainë, shumë më të komplikuara dhe më vdekjeprurëse.

POM-3 zakonisht lëshohet nga një raketë dhe bie në tokë me parashutë përpara se të fiksohet nën dhe – ku pret, sipas CAT-UXO, një burim në internet për teknikët e bombave ushtarake dhe civile.

Kur mina ndjen një lëvizje, ajo lëshon një kokë të vogël shpërthyese që shpërthen në ajër, duke prodhuar fragmente që janë vdekjeprurëse deri në një rreze prej 50 metrash.

Sipas zyrtarëve të qeverisë amerikane, Rusia duket se po lëviz trupat për të konsoliduar kontrollin e saj në Donetsk dhe Luhansk, që mund të nënkuptojë se edhe më shumë armë si POM-3 do të përdoren në luftë.

HALO, që do të thotë Organizata për Mbështetjen e Jetës në Zonë të Rrezikshme, ka rreth 10 mijë punonjës në mbarë botën,

Ajo është ndër të paktat organizata jofitimprurëse ndërkombëtare që kanë mbetur në Afganistan që kur talebanët morën kontrollin e Kabulit, kryeqytetin, në gusht.

POM-3 është vetëm një rrezik i ri në mesin e shumë rreziqeve që organizata e tij pret të hasë, përveç një numri të pallogaritshëm raketash, bombash dhe predhash artilerie që nuk arritën të shpërthenin pas përplasjes.

Rusia ka sulmuar gjithashtu depot e armëve të Ukrainës, duke shkaktuar zjarre dhe shpërthime që, zakonisht, shpërndajnë qindra apo edhe mijëra municione të dëmtuara në zonat përreth.

Mina antiuomo POM-3. Armi moderne per la guerra moderna

Pasi përdoreshin gjerësisht në mbarë botën, minat tokësore kundër personelit shpesh vrasin dhe gjymtojnë civilët shumë kohë pasi armiqësitë kanë pushuar.

Ukraina është një nga 164 vendet që kanë nënshkruar një traktat në vitin 1997, sipas të cilit ndalohet përdorimi i minave tokësore kundër personelit dhe është zotuar të pastrojë rezervat e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë refuzuar t’i bashkohen asaj.

Traktati nuk ndalon përdorimin e minave tokësore antitank – të cilat zakonisht kanë një ngarkesë shumë më të madhe shpërthyese dhe janë të dizajnuara për të shpërthyer vetëm kur një automjet kalon mbi ose pranë tyre – dhe as nuk adreson pajisjet shpërthyese të improvizuara të ndërtuara për të shkatërruar automjete.

Videot e postuara në mediat sociale pretendojnë të tregojnë mina antitank dhe sulme të improvizuara me bomba ndaj automjeteve ruse në Ukrainë.

Të paktën 1 mijë e 563 civilë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

Marrë nga “The New York Times”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore