Lajme

Ukraina mund të mbrohet me sistemet ruse S-400, SHBA-Turqi shqyrtojnë mundësitë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë diskutuar joformalisht me Turqinë mundësinë e transferimit të sistemeve raketore anti-ajrore ruse S-400 në Ukrainë.

Kjo, për të ndihmuar shtetin lindor që të mbrohet nga trupat pushtuese ruse.

Lajmi është raportuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, e cila citon tre burime të informuara.

Gjatë tre javëve të fundit, zyrtarët amerikanë kanë diskutuar propozimin me homologët e tyre turq.

Burimet e “Reuters”, zbulojnë sakaq se asnjë kërkesë zyrtare nuk është marrë ende.

Sipas tyre, çështja e dërgesave të mundshme të sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore në Ukrainë u diskutua gjatë një vizite në Turqi të zëvendës sekretares amerikane të shtetit, Wendy Sherman.

Administrata Biden u ka kërkuar aleatëve që përdorin pajisje dhe sisteme ushtarake ruse, duke përfshirë S-300 dhe S-400, t’i dorëzojnë ato në Ukrainë.

Autoritetet turke nuk kanë komentuar ende negociatat e mundshme për furnizimin e sistemeve ruse të mbrojtjes raketore.

Turqia dhe Rusia nënshkruan një kontratë për furnizimin e sistemeve S-400 në vlerë prej 2.5 miliardë dollarë në vitin 2017.

Washington-i, në përgjigje të blerjes së katër batalioneve S-400 nga Ankaraja, e përjashtoi Turqinë nga lista e partnerëve në programin për prodhimin e gjuajtësit të ri F-35.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore