Shqipëria

UEFA mund të heqë finalen e Ligës së Konferencës nga Tirana


Institucioni i futbollit evropian UEFA po mendon të zhvendosë finalen e Konferencës së Evropës nga Shqipëria drejt Greqisë. Lajmi bëhet i ditur nga “Inside Futbol”.

“Albanian Post” ka kërkuar informacion nga UEFA mbi këtë ndryshim të mundshëm, por nuk ka marrë ende përgjigje nga autoritetet evropiane të futbollit.

Aktualisht finalja e Europa Conference League do të luhet në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë, e cila klasifikohet si një stadium i kategorisë katër.

Tirana mposhti konkurrencën nga Franca, Greqia dhe Maqedonia e Veriut për të fituar të drejtën për të pritur finalen e Europa Conference League.

Sipas raportimeve të Inside Futbol, UEFA po monitoron situatën në Shqipëri, ku shefi i shoqatës së futbollit Armand Duka është pezulluar, mes shqetësimeve për ndërhyrje politike.

Ata mund të zgjedhin t’ia heqin finalen Shqipërisë dhe ta kalojnë atë në Greqi, ku Athina dhe Kreta janë opsione.

Roma e Jose Mourinhos është aktualisht favorite për të fituar Ligën e Konferencës së Evropës këtë sezon, ndërsa Marseille, Leicester City dhe Feyenoord konsiderohen gjithashtu si pretendente të forta.

Leicester do të përballet me PSV Eindhoven në çerekfinale, ndërsa norvegjezët e Bodo/Glimt do të përballen me Romën.

Feyenoord do të përballet me Slavia Pragën, ndërsa Marseille është gati të luajë me PAOK Salonika.

Gjashtë ditë më parë UEFA do të njoftonte tifozët e futbollit në mbarë botën se është hapur procesi i shitjes së biletave.

Lajmërimi i institucionit për finalen historike që do të luhet më 25 maj 2022, merrte parasysh organizimin në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore