Auto

Uber-i fiton betejën me shoferët


Një gjykatë holandeze ka hedhur poshtë pretendimet e një grupi shoferësh të Uber-it britanez, të cilët kërkonin akses te të dhënat që kompania grumbullon rreth tyre.

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se në muajin dhjetor grupi i shoferëve ka kërkuar në një seancë dëgjimore, akses të plotë te të dhënat e mbledhura nga aplikacioni. Ai u kërkohej ta përdornin në kuadër të kryerjes së punës.

Shqetësimi i ngritur prej tyre kishte të bënte me algoritmet e përdorura nga Uber-i, të cilat vendosnin në mënyrë përfundimtare se sa para mund të fitonin shoferët dhe se si mund të bënin më shumë.

Në vendimin e marrë, gjykata e rrethit në Amsterdam, doli në krah të kompanisë, duke thënë se tanimë kompania ofronte më shumë informacion për shoferët dhe se nuk mund të bënte më shumë pa cënuar privatësinë e klientëve.

Gjithashtu, Reuters tregon se gjykata nuk ra dakord me një ankesë të bërë nga disa prej shoferëve, të cilët thanë se Uber-i kishte çaktivizuar automatikisht llogaritë e tyre vetëm sepse algoritmet e saj kishin treguar që ata ishin të dyshuar për sjellje mashtruese.

“Vendimet nuk bazoheshin vetëm në të dhëna të krijuara automatikisht”, deklaroi gjykata e rrethit.

Lidhur me vendimin e Uber-it për të mbyllur llogaritë e shoferëve, gjykata e urdhëroi kompaninë t’ju ofronte atyre më shumë informacion, por hodhi poshtë pretendimet për kompensim financiar.

“Ky është një vendim i rëndësishëm”, ka thënë Gus Glover, zëdhënës i Uber-it në një deklaratë.

Ai vazhdoi duke thënë se “gjykata ka konfirmuar që sistemi i dërgimit i Uber-it nuk barazohet me vendimmarrje të automatizuar dhe se u siguruam shoferëve të dhënat për të cilat kanë të drejtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore