Shqipëria

U gjet në dyqan instrumentesh në Shqipëri – Rikthehet në Itali pianoja antike


Një piano e shekullit XVIII, e cila ishte vjedhur në Itali në vitin 2015 iu dorëzua autoriteteve të shtetit fqinj pasi u gjet në një dyqan instrumentesh muzikore në Shqipëri.

“Clavikorda” u vodh në Konservatorin  ‘Arrido Boito’ në Parma të Italisë dhe u soll në Shqipëri me shpresën që të shitej.

Mësohet se dorëzimi i saj do t’i bëhet komandantit të Karabinierëve për trashëgiminë kulturore nga Ministria e Kulturës, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë.

Në fjalën e saj për këtë çështje, ministrja e Kulturës  Elva Margariti, tha se lufta kundër trafikimit të objekteve të kulturës do të jetë në prioritet.

“Jemi këtu sot të lidhur përmes trashëgimisë kulturore, e cila nuk i përket vetëm Italisë por gjithë botës. Është e rëndësishme që të vlerësojmë këtu sot të gjithë punën që është bërë. Ne kemi një prioritet në Ministri që është lufta kundër trafikut të objekteve kulturore. Italia është partner strategjik për ne”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti
Fjala e ministrit të Drejtësisë 

Në një komunikatë për rastin në fjalë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha se bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe italiane bëri të mundur kthimin e instrumentit antik në vendin e origjinës.

“Është një shenjë e bashkëpunimit serioz me një vend mik që është Italia. Ne duam ta shtrijmë këtë bashkëpunim në të ardhmen pse jo për të bërë të mundur riatdhesimin reciprok të të gjitha veprave të trashëgimisë kulturore. Këto vepra të shkojnë aty ku ishin sepse janë pronë e popullit italian”.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja
Si u vodh pianoja

Në atë periudhë kohe, mediat italiane shkruanin se pianoja antike, së bashku me një “viola da gamba” e bërë në kohët moderne, një kopje e një instrumenti të lashtë, u vodhën me 5 janar të vitit 2015.

Hajdutët, duke përfituar nga mbyllja ditaditore e Konservatorit, kanë thyer xhamin dhe kanë hyrë në sallën ‘Aula Alvini’ nga dritarja e banjës, e cila është gjetur e hapur dhe me xham të thyer. Nga sa ishte konstatuar, alarmi ishte prishur.

Nga të dy instrumentët, vlerë më të madhe historike kishte “klavikorda” e shekullit XVIII, e cila ishte pjesë e Koleksionit ‘Laura Alvini”. Një koleksion instumentash të lashta me tastierë që i përkisnin një pianisteje të njohur milaneze, e cila vdiq në janar 2005.

Vjedhja ndodhi në Konservatorin ‘Arrido Boito’ në Parma më 5 janar të vitit 2015. Ata që rihapën institutin pas disa ditësh mbyllje, kuptuan se mungonin dy instrumente muzikorë: një klavikordë e çmuar e gjysmës së parë të shekullit XVIII dhe një ‘viola da gamba’ e bërë në kohët moderne, një kopje e një instrumenti të lashtë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore