Shqipëria

Turizmi me ligj të ri për të garantuar konkurrencën e ndershme


Mirela Kumbaro, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, ka njoftuar miratimin e ligjit të ri për turizmin.

Ajo – gjatë prezantimit të vendimit të miratuar këtë të enjte në mbledhjen e Këshillit të Ministrave – ka thënë se ligji i 2015 nuk i përgjigjej realitetit dhe dinamikave të reja që pësoi turizmi vitin që lamë pas.

“Turizmi ka qenë e do jetë kryefjalë, ligji i 2015 nuk i përgjigjej realitetit dhe dinamikave të reja. Edhe vizioni I qeverisë është shumë më i avancuar se ligji i 2015”, ka thënë ajo.

Kjo bënte të nevojshme – sipas saj – nevojën për ndryshime ligjore, qoftë për realitetet e reja në tregun e turizmit, kërkesat e konsumatorit, për të dhënë garanci më shumë për shërbime më cilësore.

Është një mekanizëm edhe për formalizimin e tregut të turizmit, ka shtuar ajo.

“Garantojmë konkurrencë të ndershme, raport të ndershëm me tatimet në shtet. Gjithashtu institucionet e turizmit që janë brenda ministrisë, ishte e nevojshme që praktika reale të pasqyrohej në ligjin e ri. Nga ana tjetër japim disa nxitje në ligjin e ri për zhvillim të qëndrueshëm gjithëvjetor, me oferta. Fusim disa dispozita që japin një rëndësi më të madhe statistikave në turizëm”, ka thënë ajo.

Sipas Kumbaros, ky draft ka muaj që punohet, është diskutuar në shumë tryeza dhe po ecën paralelisht me dy nisma të tjera, si strategjia kombëtare e turizmit 2024-2030, e cila do mbyllet brenda pranverës së këtij viti.

Kumbaro ka ravijëzuar ndër të tjera se miratimi i ligjit, synon të jetë një paketë e unifikuar në gjithë vendin.

“Kur shikojmë sot që flitet për 17 hotele që janë ndërtuar ose janë në fazë ndërtimi me katër ose pesë yje, kemi një realitet krejt të ri sa i përket investimeve strategjike”, ka vijuar të thotë ministrja.

“Në kontekstin kur ne flisnin për 10 milionë turistë në 2030, kjo flet për një treg që nuk ishte parashikuar dhjetë vjet më parë kur ligjet ishin planifikuar, ligjet përmirësohen dhe amendohen”.

Sipas Kumbaros, në tregun e organizuar që kemi, duhet të kemi paketë ligjore të unifikuar dhe s’ka nevojë të jetë e copëzuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore