Shqipëria

Trupi i pajetë në Ulqin është i Rudolf Elezoviç


Një trup i pajetë është gjendur në Ulqin më 8 qershor dhe tashmë autoritetet malazeze kanë konfirmuar se ai i përket ish-shefit të policisë së qytetit bregdetar, Rudolf Elezoviç.

Ky i fundit dyshohej se ishte zhdukur më 27 maj në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, në zonën e fshatrave Pentar dhe Reç.

Shkaqet e vdekjes nuk janë ende të ditura, por dyshimet e para të policisë janë ato të vetëvrasjes.

Gjithsesi, nuk përjashtohet as një vrasje e tipit mafioz, pasi ish-kryepolici i Ulqinit, po hetonte mbi një çështje trafikimi droge.

Zhdukja e Elezoviçit

E para e cila ka raportuar zhdukjen e tij, ka qenë gruaja, ku sipas saj, ai ka humbur çdo kontakt me familjen.

Nga informacionet fillestare u mësua se Elezoviç, kishte qenë i përfshirë në sektorin e anti-trafikut në Policinë Kufitare të Malit të Zi.

Ai kishte shërbyer si shef i policisë së Ulqinit për pothuajse gjashtë vjet, deri në vitin 2014, kur u zëvendësua nga Sead Djozovic.

Policia u informua se oficeri i tyre ishte larguar nga shtëpia pesë ditë përpara zhdukjes përfundimtare dhe që atëherë nuk kishte telefonuar në familje.

Policia malazeze gjithashtu informoi kolegët e saj në rajon për zhdukjen e kolegut të tyre. Anëtarë të policisë shqiptare, u përfshinë gjithashtu në kërkim.

Elezoviç ishte përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollimin e kalimit të kufirit shtetëror në Portin e Tivarit, pikat kufitare Sukobin dhe Tivar, si dhe të gjithë kufirin shtetëror në territorin e komunave të Ulqinit dhe Tivarit.

Ai gjithashtu drejtonte departamentin që merret me zbulimin dhe parandalimin e migrimit të ligjshëm të njerëzve dhe lëvizjen e mallrave përtej kufirit shtetëror jashtë vendkalimeve të vendosura kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore