Bota

Trump, kërkon trefishimin e paketës së ndihmës për COVID-19


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar të martën më 22 dhjetor, se nuk do t’a nënshkruante paketën financiare të ndihmës për COVID-19, nëse nuk trefishohet shuma e saj.

Kjo paketë përfshin fonde jetike për amerikanët, si ndihma për dëmet nga pandemia, për qytetarët dhe bizneset, pagesa direkte të parashikuara për ta.

Përmes një videomesazhi në median sociale Twitter, Trump e konsideroi paketën prej 900 miliardë dollarësh të miratuar nga kongresi si “shpërdorim parash”.

“Paketa është me të vërtetë e turpshme plot me artikuj të kotë. Quhet fatura e ndihmës së COVID-it, por pothuajse nuk ka lidhje me COVID-in”, deklaron Trump.

Trump kërkon rritjen e ndihmës financiare deri në 4 mijë dollarë për çift, në vend të 600 dollarësh që parashikon projektligji.

Ky ligj u miratua të hënën në mbrëmje nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga Senati.

Presidenti po ashtu kritikoi edhe pjesën që parashikonte fonde për vendet e huaja, Institutin Smithsonian dhe mbarështimin e peshkut.

“Unë kërkoj gjithashtu nga Kongresi që të eliminojë zërat shpërdorues dhe të panevojshëm nga ky legjislacion, si dhe të më dërgojë një paketë të përshtatshme, përndryshe administrata tjetër do të duhet të dorëzojë një paketë për ndihmën për COVID-in. Dhe ndoshta, ajo administratë do të drejtohet nga unë”, deklaroi ai.

Përdorimi i vetos nga presidenti do të çonte në mbyllje të pjesshme të administratës që do të linte pa paga dhjetëra mijëra punonjës, në kulmin e krizës së koronavirusit. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore