Lajme

Tre senatorë amerikan sot qëndrojnë në Kosovë


Tre senatorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen do ta vizitojnë të enjten e 21 prillit Kosovën.

Është bërë e ditur se gjatë qëndrimit në Kosovë ata do të realizojnë takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e tyre vjen pas vizitës që këta të tre Murphy, Tillis dhe Shaheen kishin në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.

Ishin zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe lufta që Vladimir Putin ka nisur atje shkak që ky delegacion të realizoj vizita në shtete e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë gjithë kësaj kohe që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë, ka pasur paralajmërime se rajoni mund të jetë cak i Putinit për destabilizim dhe kjo ka alarmuar Perëndimin.

Kjo u konfirmua edhe nga vet senatori Chris Murphy nëpërmjet një shkrimi të tij në Twitter më 19 prill.

“Derisa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ata do të përpiqen të krijojnë probleme në rajonet e brishta të afërta. Unë gjatë kësaj jave jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje me senatoren Shaeen dhe senatorin Thom Tills për të forcuar lidhjet e SHBA-së me Ballkanin përballë përpjekjeve të huaja për ta minuar paqen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore