Sport

Transfermarket përditëson vlerat e lojtarëve, Haaland ngjitet në vend të dytë


Sajdi i njohur mbi transferimet dhe vlerat e lojtarëve të futbollit “Transfermarket” ka publikuar përditësimet më të fundit, në lidhje me vlerën e lojtarëve. Lista vijon të kryesohet nga Kylian Mbappe, ndërsa në vend të dytë është ngjitur Erling Haaland-i dhe në të tretin, Harry Kane.

Mbappe është lojtari më i kushtueshëm në botë sipas “Transfermarket-it”. Ai kushton 144 milionë euro. Haaland-i që renditet i dyti kushton 117 milionë euro, ndërsa Kane 108 milionë euro.

Jadon Sancho i Borussia Dortmund-it është lojtari i katërt më i kushtueshëm në botë, me vlerë 90 milionë euro, po aq sa edhe Mohamed Salah-u i Liverpool-it, Romelu Lukaku i Inter-it, Kevin de Bruyne i Manchester City-t dhe Neymar-i i PSG-së.

Në vend të nëntë renditen: Frenkie de Jong-u i Barcelona-s, Bruno Fernandes-i i Manchester United-it, Joshua Kimmich-i i Bayern Munich-ut, Raheem Sterling-u i City-t dhe Jan Oblak-u i Atletico Madrid-it. Të gjithë këta lojtarë vlerësohen nga 81 milionë euro.

Haaland-i është lojtari të cilit i është rritur më së shumti vlera. Nga 99 milionë euro ka kaluar në 117 milionë euro, një rritje prej 18.2% ose 18 milionë euro.

Eden Hazard-i është lojtari me zhvlerësimin më të madh të kartonit të tij. Belgut i ka rënë vlera me 50%. E thënë ndryshe, Hazard-i kushton tashmë 36 milionë euro, nga 72 milionë euro që kushtonte herën e fundit.

Antonie Griezmann-it i ka rënë vlera me 37.5%, e përkthyer në 32.4 milionë euro. Sterling-u është një tjetër lojtar që ka pësuar ulje të ndjeshme të kartonit të tij. Anglezit i ka rënë vlera me 29.7%, që përkthehet në ulje me 34.2 milionë euro.

Edhe dy super yjet e futbollit kanë pësuar rënie të vlerës së kartonit te tyre. Lionel Messi tashmë kushton 28.6% më pak, ose 28.8 milionë euro. Kartoni i “pleshtit” vlen aktualisht 72 milionë euro.

Cristiano Ronaldo-s i është ulur vlera e kartonit me 25% ose 13.5 milionë euro. Portugezi tashmë vlen në tregun e transferimeve 40.5 milionë euro.

Nga lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla është më i shtrenjti. Mbrojtësi i Roma-s vlerësohet 22.5 milionë euro, ndiqet nga Berat Djimsiti me 19.8 milionë euro dhe Thomas Strakosha me 12.6 milionë euro.

Te Kombëtarja e Kosovës, lojtari më i kushtueshëm është Amir Rrahmani. Mbrojtësi i Napoli-t kushton 12.6 milionë euro dhe ndiqet nga dyshja Milot Rashica – Vedat Muriqi, që kushtojnë nga 8.1 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore