Lajme

Trandafilova cakton trupin gjykues të Kushtetueses për ankesën e Haradinajt


Nasim Haradinaj

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se është caktuar paneli i Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi referimin e ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinajt.

“Ju njoftojmë për çështjen më të fundit në Gjykatën Kushtetuese, e cila mund të shihet në këtë parashtrim. Më 22 nëntor 2023 kryetarja Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi referimin e dorëzuar nga mbrojtja e Nasim Haradinajt, më 21 nëntor”, thuhet në njoftim.

Në njoftim po ashtu theksohet se gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti do të vendosin lidhur me këtë referim të dorëzuar në mënyrë konfidenciale, versioni publik i redaktuar i të cilit do të jetë në dispozicion brenda një jave.

Haradinaj nuk ishte liruar me kusht nga burgu në Hagë, ashtu siç u morë vendim muajin e kaluar për ish-kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucati.

“Megjithatë, presidenti vuri në dukje se z. Haradinaj ka të dhëna disiplinore në Njësinë e Menaxhimit të Paraburgimit (DMU). Prandaj, presidenti konsideroi se përderisa zoti Haradinaj ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka vend për përmirësim”, thuhet në njoftim.

Më 12 tetor 2023, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, kishte konfirmuar lirimin e ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore