Lajme

Trafik droge nga Shqipëria në Pulia, 16 të dënuar në Bari


Gjyqtari i seancës paraprake (GUP) pranë Gjykatës së Barit, Marco Galesi, dënoi 16 të pandehur për trafik ndërkombëtar droge.

Dënimet variojnë nga 13 vite deri në 16 muaj burg. Vendimi u dha në fund të gjyqit me procedurë të shkurtuar. Trafiku i drogës është zhvilluar në aksin Shqipëri-Pulia.

Faktet e diskutuara në hetimin e titulluar “Kulmi” nga DIA Italiane dhe policia shqiptare, me kontributin e Interpol-it, Criminalpol-it dhe Eurojust-it dhe bashkërendimin e përbashkët të magjistratëve të antimafias së Barit dhe Tiranës, datojnë në vitet 2017-2018.

Hetuesit dokumentuan se Pulia ishte baza kryesore logjistike e organizatave kriminale shqiptare për shitjen e drogës në të gjithë territorin italian.

Gjatë dy viteve të hetimeve, më shumë se tre tonë e gjysmë drogë me vlerë mbi 40 milionë euro u sekuestruan për një total prej rreth 7 milionë dozash.

Këto të fundit u transportuan nga brigjet shqiptare drejt Adriatikut nëpërmjet skafeve dhe, nga toka, nëpërmjet refugjatëve.

Nga 16 të dënuarit, 4 janë autorë italianë dhe 12 janë trafikantë shqiptarë, për të cilët gjykatësi ka urdhëruar dëbimin e tyre.

Hetimi i një viti më parë çoi në 37 arrestime të kryera midis të dy vendeve dhe sekuestrime të pasurive me vlerë 4 milionë euro, përfshirë një fabrikë kafeje në Vlorë.

Hetimi gjithashtu kishte konstatuar bashkëpunimin e një karabinieri, Giuliano Pasquale, tashmë i dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë ndihma e trafikantëve të drogës për të prodhuar dokumente të rreme, duke i informuar gjithashtu për hetimet e vazhdueshme kundër tyre.

Nga proceset gjyqësore presin ende verdiktin e tyre 21 të pandehur të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore