Sport

Tottenham, tre dëshira për merkaton e ardhshme, dy nga Serie A dhe një nga Ligue 1


Drejtori sportiv i Tottenham-it, Fabio Paratici, e ka gati listën e transferimeve për në verën e ardhshme. Tre janë dëshirat e italianit: Stefan de Vrij, Franck Kessie dhe Houssem Aouar.

Edhe pse Paratici bëri disa afrime të rëndësishme këtë verë si Bryan Gil, Emerson Royal, Pepe Sarr, Cristian Romero dhe Pierluigi Gollini, puna për kompletimin e ekipit do të vijojë përsëri në merkaton e ardhshme.

Mesfushori i Milan-it, Kessie në verën e 2022 përfundon kontratën me kuqezinjtë dhe gjastat janë që të largohet me parametra zero.

Mbrojtësi i Inter-it, De Vrij dhe mesfushori i Lyon-it, Aouar do të hyjnë në vitin e fundit të kontratës me klubet e tyre dhe për pasojë vlerat e tyre do të jenë shumë herë më të ulëta se ajo aktualja.

Në rastin e Aouar, Tottenham-i mund të ofrojë te Lyon-i kartonin e mesfushorit, Tanguy Ndombele. Për Ndombele-n, anglezët shpenzuan 60 milionë euro për ta marrë nga Lyon-i në verën e vitit 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore