Shqipëria

Tkurrja ekonomike në 2020-ën vetëm 3,31%, me rritje tremujori i katërt


INSTAT ka publikuar të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për tremujorin e katërt të vitit 2020.

Sipas përllogaritjes paraprake mbi performancën e tremujorëve, PBB-ja në Shqipëri ka pasur një rënie prej 3,31% në vitin 2020, krahasuar me vitin paraardhës.

Parashikimet e mëparshme nga institucionet shqiptare e ndërkombëtare prisnin një rënie më të fortë të ekonomisë, duke variuar nga 6% në 7,5%.

Relativisht me parashikimet, por edhe me vështirësitë nga situata me pandeminë, vërehet një rezultat më pozitiv i ecurisë ekonomike.

Kontributin kryesor pozitiv në frenimin e rënies e ka dhënë tremujori i katërt i vitit. Rritja prej 2,99%, është e para pas katër tremujorëve me radhë me rënie.

Ndërkohë, rritja me tremujorin paraardhës, është në masën 1,5%.

Ritmi i rritjes është më i ulët se ai para rënies së tërmetit, por sërish mbetet tregues shpresëdhënës për rimëkëmbjen në ecurinë e ekonomisë.

Më herët, gjatë muajit mars, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se në vitin 2021, autoritetet presin një rritje të ekonomisë me 4,9%.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), ka tone entuziaste për ecurinë ekonomike, e cila, edhe pse negative, është ndjeshëm më pak se projeksionet fillestare pas përhapjes së pandemisë.

“Impakti më i përmbajtur i goditjes në ekonominë tonë, vihet re edhe në kontekstin krahasimor rajonal, ku recensioni i Shqipërisë gjatë 2020 prej -3.31%, është dukshëm më i kontrolluar se sa recensioni mesatar i vendeve të rajonit prej -5.14%”, lexohet në deklaratë.

Sipas Ministrisë, përmbajtja e impaktit nga pandemia i detyrohet strukturës relativisht rezistente dhe elastike të ekonomisë shqiptare përballë goditjeve të tilla.

Për të mbështetur pohimin, njoftimi sjell në vëmendje edhe rezistencën e treguesve gjatë krizës financiare të vitit 2009.

Megjithatë, MFE-ja i ka dhënë merita edhe performancës së autoriteteve vendase, qeverisë dhe Bankës Qendrore, të cilat ia kanë dalë të menaxhojnë kontekstin problematik.

“Rënia e moderuar i atribuohet në një masë të konsiderueshme edhe menaxhimit makroekonomik e financiar relativisht të mirë që ju bë sërish nga autoritetet, nëpërmjet një miksi adekuat dhe të mirëkoordinuar të politikës fiskale e asaj monetare”, thuhet në njoftim.

Në raportin e INSTAT-it vërehet se zërat që kanë kontribuar më shumë në rritjen e tremujorit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë Ndërtimi (+1,84 pikë përqindje), Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia (+1,01 pikë përqindje) dhe Aktivitete të pasurive të paluajtshme (+0,52 pikë përqindje).

 

Ndërkohë, kanë kontribuar negativisht në performancën e tremujorit: Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor (-0,96 pikë përqindje) dhe Bujqësia, Pyje dhe Peshkim (-0,49 pikë përqindje).

Trendi i rritjes vërehet edhe në konsumim final të popullatës. Ky tregues ka pasur një rritje prej 2,91% në tremujorin e katërt të 2020-ës, krahasuar me tremujorin paraardhës. Rritje ka edhe krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, në nivelin 1,6%.

Panorama pozitive e ecurisë ekonomike në tremujorin e katërt plotësohet me rritjen e eksporteve të mallrave e shërbimeve (+22,61%) kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2020.

Megjithatë, eksportet reflektojnë nivelin e ulur të tregtisë së jashtme. Ato janë 12,77% më pak se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Rritje kishte edhe në krahun e importeve të mallrave dhe shërbimeve.

Rritja rezultoi me 13,87% ndaj tremujorit të tretë, por ishin me ulje 12,77% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore