Shqipëria

Guvernatori Sejko: Në Shqipëri pritet stabilitet ekonomik dhe rritje prej 4.9%


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një dalje për shtyp ka thënë se vendi po kalon një rritje graduale të aktivitetit ekonomik në muajt e parë të 2021-it dhe se pret rritje prej 4.9% deri në fund të vitit.

“Në përllogaritjet e bëra, në bashkëpunim me FMN-në dhe Bankën Botërore, presim rritje ekonomike në dy vitet në vijim. Parashikimi i rritjes ekonomike për këtë vit do të jetë 4,9%, ndërsa vitin tjetër 4,1%”, ka deklaruar Sejko.

Ai prezantoi konkluzionet e takimit të Këshillit Mbikëqyrës, pasi u morën në shqyrtim dhe u miratua Raporti i Ndërmjetëm i politikës Monetare.

“Aktiviteti ekonomik në vend ka treguar një rritje graduale në dy muajt e parë të vitit”, deklaroi ai.

Gjithashtu, pritshmëritë e institucionit që ai drejton, janë që rritja e stabilizuar të vijojë edhe në dy vitet në vijim. Momentalisht, ai ka konstatuar se “aktiviteti ekonomik dhe punësimi vijojnë të mbeten nën nivelet e regjistruara përpara pandemisë”.

Banka e Shqipërisë po monitoron nga afër ecurinë e inflacionit, i cili vijon të qëndrojë nën objektivin prej 3%.

“Niveli i tij ra në 0.4% gjatë muajit janar, krahasuar me nivelin 1.1% në muajin shkurt”, bëri me dije guvernatori.

Pritshmëritë e BSH-së janë që ecuria pozitive, me rritjen e aktivitetit tregtar, do të ndihmojë edhe me synimin për nivelin e inflacionit brenda 2022-it.

“Normalizimi do të shoqërohet me rritje të punësimit, të pagave dhe të marzheve të fitimit të biznesit, çka do të krijojë premisa për kthimin e inflacionit në objektivin tonë prej 3% brenda vitit 2022”.

Guvernatori bëri me dije se vijon rimëkëmbja gjatë dy tremujorëve të fundit. Ajo i detyrohet rritjes së vëllimit të shitjeve, rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ecurisë së mirë me të ardhurat fiskale, si dhe zgjerimit të eksporteve dhe importeve.

Megjithatë, shqetësuese mbetet rënia e punësimit në tremujorin e katërt të vitit 2020, duke e çuar nivelin e papunësisë në 11,8%. Gjithashtu, pavarësisht se nuk ka akoma një raport zyrtar përfundimtar, Sejko pret që shifra e publikuar për recensionin e vitit të shkuar të jetë rreth 4%.

Lidhur me parashikimet për rikthimin në rritjen ekonomike, Sejko deklaroi se pritshmëria e rritjes prej 4,9% në 2021-in është momentale dhe varet gjerësisht nga ecuria me pandeminë. “Vaksinat janë elementi kryesor që do të përshpejtojë lehtësimin e situatës së pandemisë dhe paralelisht me të vjen dhe rihapja ekonomike”, tha ai.

Sezoni veror, paralelisht me fushatën e vaksinimit, do të jetë gjithashtu përcaktues për situatën ekonomike në vend, sipas guvernatorit.

“Sezoni veror është gjithmonë një test pasi turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare”, përmbylli ai.

Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur në përfundim të mbledhjes që të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%, dhe gjithashtu të lërë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore