Shqipëria

Tjetërsimi i të drejtave të autorit – “alarm te botuesit”


Atje te qoshja e universitetit, ose më keq akoma brenda ambienteve të fakultetit.

Domosdoshmëri, apo një zgjidhje për pak të ardhura më shumë në xhep dhe për të mbyllur muajin (siç pohojnë vetë studentët), zgjidhjen e gjejnë aty: në fotokopjen e shkollës.

“Tarifa e fakultetit është shumë e lartë”, thotë një studente e Fakultetit të Shkencave Sociale, Mirela Zani, për Albanian Post.

Përveç kësaj duhet që të paguajmë edhe librat, të cilët kanë një kosto relativisht të lartë, duke qenë se “prindërit investojnë në mbarëvajtjen e shkollimit tim”, vijon ajo.

Prandaj, zgjidhjen “e kam gjetur aty, te fotokopja ngjitur murit të shkollës, ku kostoja e librit shkon gati 10-fish më pak”.

Nga ana tjetër, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), organizuan një takim në mjediset e QKLL, me një grup të madh botuesish, ku diskutuan rreth një problemi kyç në botën e librit shqip, “piraterinë dhe tjetërsimin e të drejtave të autorit”.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, foli për përhapjen e këtij fenomeni dhe dëmin e madh që sjell në editori: moral dhe ekonomik, por edhe cilësor.

“Përhapja e këtij fenomeni është e madhe, për ne është një alarm”, tha ai gjatë takimit.

Kryetari kërkoi ndërhyrjen e fortë të shtetit për të shmangur dhe dënuar këto dukuri ilegale.

“Botimet e skanuara të veprave të botuara, që shiten nëpër rrugë, duke ndryshuar titull ose përkthyes, në shitjen online, të ebookut, nga shitës të paautorizuar dhe që e kanë grabitur pdf e librit”, shtroi problematikën Ymeri.

Kryetari i SHBSH-së tha se problemi është aq i madh sa shkohet “deri në rishtypje të librave nga shtypshkronja të vogla dhe pa adresë”.

Po ashtu, “edhe tjetërsimet nëpërmjet fotokopjimeve të shumta”.

Studentja Zani thotë se në disa raste “kur shkon te fotokopja, nuk u lejohet, pasi disa pedagogë të tyre, tekst-shkrues të librave, nuk i lejojnë fotokopjimet mbi bankat e shkollës”.

Një ndërhyrje të fortë kërkoi edhe drejtorja e QKLL, Alda Bardhyli, e cila foli edhe për “edukimin e lexuesit shqiptar për të mos pranuar vepra të tilla” dhe u shpreh e gatshme që së bashku me Shoqatën e Botuesve të organizonin fushata sensibilizuese për këtë problem.

Nga ana tjetër dhe drejtori i Pronësisë Intelektuale pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, z. Neritan Frashëri, kërkoi edhe ndihmën e bashkëpunimin e Shoqatës për evidentimin e problemit dhe siguroi që do të ishin në mbrojtje të së drejtës së autorit.

Në fund, Ymeri u bëri thirrje gjithashtu universiteteve që, jo vetëm të mos lejohen përdorimet e teksteve të fotokopjuara, por edhe “të bëhet edukimi i një opinioni të shëndoshë përkundër tjetërsimit të së drejtës së autorit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore