Sport

Tirana zyrtarizon trajnerin e ri


Klubi i Tiranës, pas largimit të teknikut Nevil Dede, nuk ka humbur kohë dhe ka prezantuar trajnerin e ri. Tekniku i ri i bardhebluve do të jetë Orges Shehi.

Shehi më herët ka drejtuar Kukësin dhe Skënderbeun. Përkatësisht, Kukësin në 13 ndeshje dhe Skënderbeun në 45 ndeshje.

Me Kukësin numëron tetë fitore, dy barazime dhe tre humbje. Me Skënderbeun numëron 24 fitore, katër barazime dhe 17 humbje.

43-vjeçari, si trajner, ka fituar dhe një Superkupë të Shqipërisë me Skënderbeun, në sezonin 2018/19.

Klubi i Tiranës, ka zyrtarizuar marrëveshjen me ish-portierin e Skënderbeut dhe disa ekipeve të tjera të Superiores, në median sociale, ku shkruan:

“U prezantua sot në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” trajneri i ri i bardhebluve, Orges Shehi. Në prezencën e presidentit, Refik Halili, Shehi foli përballë gazetarëve për vendimin e tij për tu bërë pjesë e Tiranës”.

“43 vjeçari është një emër i njohur në botën e sportit. Ai është njohës i mirë i fushës së blertë dhe shprehet mjaft i kënaqur ti bashkohet kampit të kampionëve”.

“Pas një shtrëngimi duarsh me presidentin Halili, Shehi është drejtuar për në kompleksin “Skënder Halili” ku tashmë i është bashkuar skuadrës e cila është e plotë dhe e gatshme për t’u vënë nën urdhërat e teknikut Shehi”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore