Kulturë

“Tinguj jete midis tokës dhe detit” – histori ndër shekuj


Kufijtë tokësorë apo detarë ndajnë shtetet, por jo njerëzit. Zemrat rrahin njësoj si në Shqipëri dhe Itali. Tingujt e jetës dëgjohen midis tokës dhe detit…

Agjencia Kombëtare e Diasporës (AKD), në bashkëpunim me komunitetin arbëresh, do të zhvillojnë një aktivitet nga datat 30-31 gusht, deri më 1 shtator.

Për Albanian Post (AP) është drejtoresha Ekzekutive e AKD-së, Sonila Hysi, që jep detaje për këtë aktivitet.

“Tinguj jete midis tokës dhe detit” do të mbahet në Horën e Arbëreshëve në Sicili, Cerzeto dhe Kalabri.

“Histori e bashkuar ndër shekuj”

Drejtoresha thotë se aktiviteti është i një rëndësie të veçantë historiko-kulturor, pasi gjatë tij “do të diskutohen çështje me elementët kulturorë, antropologjikë, historikë që bashkojnë veçoritë midis Italisë dhe Shqipërisë ndër shekuj”

Po ashtu, “do të zhvillohen takime me përfaqësues të këtij komunitetit arbëresh”.

Shtegtimi dhe qëndresa shekullore e arbëreshëve për ta ruajtur identitetin e tyre ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e studiuesve, por edhe të njerëzve të thjeshtë.

Të vendosur në jug të Italisë prej gjashtë shekujsh, ata me fanatizëm kujdesen edhe sot për gjuhën, kulturën dhe traditat e të parëve të tyre.

Në të gjithë Italinë, njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe.

Hysi ka theksuar se ky organizim është “një gur themeli” për ndihmesën në ruajtjen e gjuhës dhe vlerave kulturore të arbëreshëve.

Ajo thotë se aktiviteti do të shërbejë si një pikënisje për të ardhmen dhe se “do të ketë të tjerë”.

Kjo bazuar në misionin e Agjencisë, forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve me Diasporën nëpërmjet ndihmesës në ruajtjen e gjuhës dhe vlerave kulturore.

Tinguj artistik

Pjesë e këtij eventi, do të jetë dhe realizimi i një koncerti artistik, ku do të ndërthuret muzika klasike, instrumentet dhe poezitë arbëreshe.

Drejtoresha tregon dhe qëllimin e një aktiviteti të këtij lloji.

“Zhvillimi dhe konsolidimi i bashkëpunimit institucional me komunitetin Arbëresh në Itali, me qëllim ruajtjen e gjuhës, vlerave kombëtare dhe kulturore, janë pikësynim yni”.

Shqipëri historike apo moderne në miniaturë brenda Italisë?

“Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet, ritet e doket që kishin në Mëmëdhe”, thotë Hysi.

Pikërisht për këtë arsye – shpjegon drejtuesja e Agjencisë – ka si synim prezantimin e kulturës shqiptare në rajonin ku do të zhvillohet aktiviteti, duke forcuar urat e rëndësishme të marrëdhënieve shqiptare me ato arbëreshe të vendit fqinj.

Agjenda e takimeve, që do të marrin jetë në aktivitetin treditor, do të jetë e larmishme.

Ajo do e çelë siparin me takimet me kryetarët e bashkive dhe, në vijim, ato në muzetë kryesore.

Me një atmosferë mbresëlënëse, teksa bie muzgu, do të mbahet koncerti artistik, me pjesëmarrjen e artistit shqiptar, Aulon Naçi, kompozitor dhe pianist.

Aty do të ndërthuret muzika klasike, instrumentale dhe, në sfond, poezitë arbëreshe.

Ndërthurja e antikes me modernen

Arbëreshet, sipas Hysit, ndihen krenarë. Ata, përveç gjuhës dhe traditave të ruajtura ndër breza dëshmi e ruajtjes së identitetit kombëtar, kanë trashëguar dhe kulturën e përçimit në brezat e rinj, mësimin e gjuhës, traditave, dokeve, zakoneve dhe gatimeve tradicionale të njohura në mbarë botën.

Në përmbyllje, drejtoresha thotë se arbëreshet spikasin për unikalitetin e tyre, në ndërthurjen e antikes me modernen, të tashmes dhe të djeshmes.

Ata janë një popull e një vend, për të cilin historia flet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore