Shqipëria

‘Ti je ai, i cili jep leje për vrasjet’ – Halli i Berishës është pragu i shtëpisë, sipas Spiropalit


Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ka akuzuar ish-kryeministrin e vendit, Sali Berisha, se gjithçka i intereson atij është vetëm halli i shtëpisë dhe jo opozita, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.

Replika të ashpra ndodhën mes saj, Berishës dhe kreut të Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, sa i përket akuzave që kreu i demokratëve hodhi në fjalën e tij të gjatë nga foltorja e Parlamentit, që prej sulmeve kibernetike nga Irani, e deri tek protestat që duhet të zhvillohen.

Por, për Spiropalin, nuk është kjo çështja dhe një përgjigje – pavarësisht se të pamerituar sipas saj – ia ka dhënë Berishës.

Nuk po ju përgjigjem siç e meritoni sepse ‘historia nuk përsëritet asnjëherë njësoj, njëherë vjen si tragjedi, herën e dytë si komedi’”, ironizoi ajo fillimisht, duke akuzuar rëndë se “Berisha, është ai i cili jep edhe lejet për vrasje”.

Në këtë aspekt, ajo solli në kujtesë rastin e një të moshuare, e cila në takim të hapur me Berishën, i pati kërkuar atij “leje”, për të vrarë personat në pushtet.

“Këta i përgjigjen hallit, jo çështjeve. U ul në këtë anë të parlamentit deputeti i botës tjetër dhe pretendoi se është përfaqësuesi i socialistëve, por socialistët kur shohin atë shohin një thepshqepës, që i ka qëlluar drejtpërdrejtë, të rinj dhe të vjetër, burra dhe gra pa diskutim, 1 mijë 800 plumba në bulevardin e Dëshmorët e Kombit,”, vijoi ajo më tej.

Një akuzë të përgjithshme ajo e pati edhe për gjithë opozitën në tërësi, të cilën e përshkroi si “të paguximshme për të bërë transparencë me shifrat”.

Kjo, pasi mbi çështjen e dekriminalizimit të Parlamentit, pakica pretendon se ka qenë nismëtare, por Spiropali, theksoi se ka qenë Partia Socialiste, ajo e cila e ka kaluar atë ligj në vitin 2015.

Mbi sulmin kibernetik, i cili ishte edhe objekt thelbësor i debatit parlamentar gjatë javës, ministrja tha se diskutime më serioze, bëhen përtej oqeanit, se sa në Shqipëri.

Kështu, sërish, duke i dalë kundër pakicës parlamentare në retorikën e saj, e cila ka qenë më së shumti goditëse ndaj Qeverisë, për “paaftësi të mbrojtjes së të dhënave”, edhe pse sulmet, siç është deklaruar, nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha në servera apo vjedhje të të dhënave të shkallës së lartë të sigurisë.

“Në fillim u tallët, pastaj doli që nuk ishin disa adoleshentë që kishin bërë sulmin por i mbështetur nga republika islamike e Iranit. Po fakti që nuk ishte vetëm ndaj Shqipërisë por ndaj shtëpisë së NATO-s”, përsiati ajo.

Teksa, në mbyllje, nuk mbeti pa e përmendur rastin e financimeve ruse, ku e përfolur për marrjen e fondeve ka qenë PD-ja.

Nga njëra anë, ish-kryetari i saj, Lulzim Basha, ka deklaruar shpesh herë se financime ruse në PD nuk ka pasur.

Mirëpo, sipas Berishës, në një version të përditësuar të tijin të ngjarjeve (pasi më parë e mendonte si Basha), ky i fundit ka qenë përftuesi direkt i fondeve ruse dhe duhet të hetohet.

Sipas Spiropalit, ai i cili sot kërkon auditimin e financave (Berisha), dikur e mbronte Bashën, por sot thotë se është fajtor.

“Ne nuk themi se është fajtor, kemi thënë që të hetohen lidhjet, ky është i gatshëm t’i shpallë tradhtar e hero sa herë i duhet. Luli i mirë, Luli i keq, Berisha i keq, Berisha i mirë, herë kështu e herë ashtu dhe mënoni se kështu do fitoni”, e përmbylli ajo fjalën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore