Shqipëria

‘Thyerja’ Shqipëri-Iran, mediat botërore komentojnë ngjarjen


Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe kryeministri Edi Rama urdhëroi stafin e ambasadës iraniane të largohet nga vendi.

E gjitha me akuzën për orkestrimin e një sulmi të madh kibernetik.

Kështu kanë nisur paragrafët e parë të raportimeve nga mediat ndërkombëtare për këtë zhvillim të fundit në vend.

Media britanike “BBC” ka cituar Ramën, i cili gjatë fjalës së tij ka thënë se prej hetimit ishin zbuluar “prova të pakundërshtueshme” se Irani “angazhoi katër grupe për të kryer sulmin ndaj Shqipërisë” më 15 korrik.

Dhe se hakerët u përpoqën të paralizojnë shërbimet publike, të fshijnë dhe vjedhin të dhënat e qeverisë dhe të nxisin kaos.

Përpos këtyre, si “BBC”-ja edhe “Reuters”-i janë ndalur veçanërisht te marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit.

Në rreshtat kushtuar kësaj marrëdhënieje mes dy vendeve, të dyja mediat i kanë bashkëngjitur cilësimin “e tensionuar” që kur Shqipëria u ofroi azil mijëra disidentëve iranianë nëntë vjet më parë.

“Shqipëria dhe Irani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga viti 2014, kur Shqipëria pranoi rreth tre mijë anëtarë të grupit MEK të Iranit, të cilët janë vendosur në një kamp pranë Durrësit, porti kryesor në vend”, shkruan “Reuters”.

Po ashtu vijon duke thënë se masa e qeverisë shqiptare ka ardhur disa ditë pasi shteti anëtar i NATO-s, Mali i Zi, fajësoi një grup kriminal të quajtur Kuba Ransomware për një sulm digjital në infrastrukturën e tij qeveritare.

Kurse e përditshmja amerikane, “The Washington Post”, kujton se lëvizja e Shqipërisë është rasti i parë i njohur i një vendi që ndërpret marrëdhëniet diplomatike për shkak të një sulmi kibernetik.

Këtë, pa lënë jashtë detajin se i gjithë personeli i ambasadës, përfshirë personelin diplomatik dhe të sigurisë, është urdhëruar të largohet brenda 24 orëve.

“BBC”, nga ana tjetër, ka shtuar edhe përgjigjen e SHBA-ve, të cilat e kanë dënuar me forcë sulmin kibernetik ndaj një aleati të NATO-s.

Por edhe zotimin e tyre se do ta mbajnë Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore