Shqipëria

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë po rrezikojnë Procesin e Berlinit, thotë kryediplomatja gjermane


Nga Tirana, kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, ka deklaruar se tensionet e ngritura së fundmi mes Kosovës dhe Serbisë po vënë në rrezik procesin e Berlinit.

“Ne nënvizojmë se tensionet e ditëve të fundit në Serbi në Kosovë po rrezikojnë procesin e Berlinit dhe kjo është arsyeja pse bëj thirrje të fortë së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por dhe të SHBA-ve se Serbia duhet të reduktojë forcat që kemi parë së fundmi”, ishte fjala e saj.

Për Baerbock, si anëtare të NATO-s, “duhet të tregojmë shumë kujdes dhe vendosmëri këtu në rajon”.

Ajo u shpreh se këto janë hapa pas drejt integrimit dhe iu bëri thirrje palëve që të ulen sa më parë të dialogojnë për të zgjidhur problemet.

Më herët ministrja gjermane pati deklaruar se “probleme të reja po hapen”, siç është sulmi i fundit nga paraushtarakët serbë ndaj policëve kosovarë dhe “dislokimi i përkohshëm i trupave nga Serbia në kufirin me Kosovën”.

“Këto tensione po mbajnë peng të gjithë rajonin”.

Ministrja e Jashtme ka bërë thirrje për një përpjekje të përbashkët që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

“Në mënyrë që anëtarësimi në BE të jetë i suksesshëm, të gjithë tani duhet të përveshin mëngët së bashku”, tha politikania pak para nisjes së saj për takimin e planifikuar në Tiranë me kolegët e saj nga Serbia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja- Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

“BE duhet të mbajë fjalën e saj për premtimet e bëra dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të nisin reformat e nevojshme”, shtoi Baerbock.

Takimi i rregullt konsiderohet si përgatitje për të ashtuquajturin Samit të Procesit të Berlinit më 16 tetor.

Procesi i Berlinit, i iniciuar nga kancelarja e atëhershme Angela Merkel në vitin 2014, synon t’i njohë gjashtë vendet me standardet, normat dhe praktikat e BE-së.

BE tashmë po negocion pranimin me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Bosnje-Hercegovina konsiderohet vend kandidat, Kosova vend kandidat potencial.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore