Sport

Tebas: PSG si Superliga, shkatërron futbollin evropian


Javier Tebas, kreu i La Liga ka qenë shumë i ashpër ndaj PSG-së. Përmes një postimi të shpërndarë në profilin e tij zyrtar në Twitter, numri “1” i La Liga ka sulmuar klubin parizien, madje duke e cilësuar si “klub-shtet”.

Këtë merkato verore, PSG-ja afroi disa lojtarë me shumë peshë në futbollin botëror si: Lionel Messi-n, Sergio Ramos-in, Achraf Hakimi-n dhe Gianluigi Donnarumma-n.

“Shtet-klubet” janë po aq të rrezikshme për ekosistemin e futbollit sa Superliga (Evropiane). Ne e kritikuam Superligën sepse po shkatërron futbollin evropian dhe ne jemi po aq kritikë ndaj PSG-së”, shkruan Presidenti i La Liga.

“Humbjet e Covid mbi 300 milionë euro, të ardhurat e TV në Francë me 40%: si paguajnë 500 milionë euro rroga? E paqëndrueshme”, ka shtuar më tej Tebas-i.

Reagimi i Tebas-it erdhi menjëherë pas mbylljes së merkatos verore dhe ku u pa se si PSG-ja nuk e lejoi largimin e Kylian Mbappe-s për shifrën e më shumë se 180 milionë eurove, kur ai është vetëm një vit larg nga përfundimi i kontratës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore