Lajme

Të shtënat në shkollën e Finlandës duken të paramenduara, sipas policisë


12-vjeçari i akuzuar për vrasjen e një shoku të klasës së gjashtë në të shtënat në një shkollë në Finlandë këtë javë duket se e kishte planifikuar atë më para.

Këtë bazuar në provat nga pajisjet elektronike të konfiskuara, ka bërë me dije policia finlandeze.

Sulmi në shkollën Viertola pranë Helsinkit, në të cilin dy fëmijë të tjerë u plagosën rëndë, besohet se ishte shkaktuar nga ngacmimi, kanë thënë hetuesit.

“Hetimi paraprak ka gjetur prova që tregojnë se akti ishte i planifikuar”, ka thënë policia në një deklaratë, duke cituar materiale të paspecifikuara të gjetura në një telefon dhe kompjuter.

Djali, i kapur nga policia rreth 4 kilometra nga shkolla, është shumë i vogël për t’u gjykuar në gjykatë dhe tani është nën kujdesin e shërbimeve sociale.

Policia ka bërë me dije se ai e ka pranuar sulmin.

Pas të shtënave në shkollë në vitin 2007 dhe 2008, në të cilat vdiqën 20 persona, Finlanda forcoi ligjet për armët në vitin 2010, duke futur një test aftësie për aplikantët për licencë dhe duke rritur moshën minimale në 20 nga 18 vjeç.

Ka më shumë se 1.5 milionë armë zjarri të licencuara dhe rreth 430 mijë mbajtës të licencës në vendin me 5.6 milionë banorë.

Sipas policisë, ka një kuptim paraprak se si i dyshuari 12-vjeçar ka marrë armën, e cila i përkiste një të afërmi të tij, por hetimet janë ende në vijim.

Hetimi për të shtënat pritet të zgjasë me muaj.

Hetuesit kanë thënë se mund të jenë në gjendje të intervistojnë një nga dy fëmijët e shtruar në spital në ditët e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore