Lajme

Të shtënat në shkollë lënë pa përgjigje pyetje të vështira për Finlandën


Pas të shtënave ku një 12-vjeçar vrau një fëmijë dhe plagosi dy të tjerë në qytetin Vantaa, në veri të kryeqytetit Helsinki, kryetitujt në Finlandë kanë qenë plot pikëpyetje.

“Çfarë lloj ngjarjesh çuan në një akt kaq ekstrem?”

“Si mund të kapte një armë një 12-vjeçar?”

“A mund të ishte parandaluar disi incidenti?”

Pak nga këto pyetje kanë pasur përgjigje deri më tani.

Në vend të kësaj, detajet tronditëse rreth ngjarjeve në Vantaa kanë vazhduar të dalin.

Djali mbante një maskë dhe kufje që anulonin zhurmën, duke treguar se veprimet e tij ishin të paramenduara.

Ai qëlloi viktimat e tij në një ambient shkolle që të gjithë e njihnin mirë dhe kalonin kohë çdo ditë. Dy vajzat që ai plagosi janë ende në gjendje të rëndë në spital.

Më tronditëse nga të gjitha, vrasësi ishte 12 vjeç.

Ka pasur të shtëna të tjera në shkolla në Finlandë, megjithëse jo shumë: kjo ishte vetëm e katërta në historinë e vendit.

“Në këtë rast, sulmuesi dhe viktimat janë vërtet shumë të rinj”, ka thënë për BBC Tomi Kiilakoski, studiues i të rinjve në Universitetin e Tampere.

“Ne po flasim për fëmijë – dhe kjo na trondit”.

Sipas tij, përputhja e brutalitetit të krimit me moshën e re të të dyshuarit ishte e vështirë, dhe incidenti erdhi si “një tronditje e madhe për fëmijët, për komunitetin, për të rinjtë dhe për të gjithë shoqërinë finlandeze”.

Policia zbuloi se i dyshuari kishte treguar se motivi pas të shtënave ishte se ai ishte ngacmuar dhe hetimi i tyre fillestar e kishte konfirmuar këtë.

Kjo ka të ngjarë të shqetësojë shumë prindër finlandezë.

Bullizmi është shumë i vështirë për t’u çrrënjosur dhe relativisht i përhapur: studimet tregojnë se 8.6% e fëmijëve të moshës 10-11 vjeç në Finlandë ngacmohen çdo javë.

Viktimat e ngacmimit rrallë përfundojnë duke vrarë të tjerët, por ngacmimi shpesh shfaqet si një nga arsyet e akteve ekstreme të dhunës.

Pas dy të shtënave në shkollë në vitin 2007 dhe 2008, lanë 18 të vdekur, një inspektor policie ka thënë se ishte ndërtuar një “sistem masash parandaluese” që lejonte policinë të ndërhynte nëse merrte informacion mbi “qëllimin e një personi për të organizuar një sulm”.

Komisioneri Kombëtar i Policisë së Finlandës Seppo Kolehmainen duhej të pranonte se sistemi kishte dështuar.

Henri Rikander, profesor i asociuar i ligjit policor në Universitetin e Finlandës Lindore, ka thënë për BBC se nga 60-100 të shtëna masive të mundshme që policia finlandeze heton çdo vit, rreth 20 janë zakonisht në fazat e fundit të përgatitjes dhe mund të klasifikohen si “serioze”.

Në rastin Vantaa, djali nuk duket se ka folur për planet e tij me askënd. Kjo i ka lënë finlandezët të pyesin se si të parandalojnë që një tragjedi e tillë të përsëritet.

I dyshuari nuk do të përballet me akuza dhe është vendosur në kujdesin e shërbimeve sociale – kështu që disa pjesë të shoqërisë finlandeze po bëjnë thirrje që mosha e përgjegjësisë penale të ulet nga 15 vjeç.

Verën e kaluar, Ministrja e Brendshme Mari Rantanen e Partisë Finlandeze të ekstremit të djathtë ka thënë se mosha duhet të ulet në mënyrë që të “thyhet cikli i krimit” mes atyre më të vegjël se 15 vjeç.

Jani Makela, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Finlandeze, ka thënë për BBC se “ka pasur raste në të cilat kufiri i moshës 15-vjeçare dyshohet se është shfrytëzuar me qëllim”.

Por të tjerët nuk pajtohen se një veprim i tillë do të kishte ndonjë efekt parandalues.

Rikander ka sugjeruar se episodet e dhunshme duhet të parandalohen përmes ndërhyrjes sociale në vend të “kontrollit zyrtar”.

Sipas tij, sjellja e dëmshme ose shqetësuese e të tjerëve është më e lehtë për t’u dalluar në kontekste si klubet sportive, shkollat ose në shtëpi.

Por “izolimi në rritje” i të rinjve nënkupton që shenjat shqetësuese po humbasin.

“Gjëja më e rëndësishme janë masat parandaluese”, ka thënë Tomi Kiilakoski.

“Ajo që unë do të shpresoja të shihja është një diskutim shoqëror se si ne mund të ofrojmë shërbime për fëmijët dhe të rinjtë në mbështetjen e rritjes së tyre”.

Nuk dihet ende sesi një 12-vjeçar ka mundur të kapë armën e zjarrit.

Por dihet se i përkiste një të afërmi të ngushtë dhe armët nuk janë të vështira për t’u gjetur në Finlandë.

Me hapësirat e gjera të hapura dhe pyjet, e quan veten një vend të “gjuetarëve dhe entuziastëve të armëve”.

Sipas Ministrisë së Brendshme, ka më shumë se 1.5 milionë armë zjarri të licencuara në Finlandë dhe rreth 43 mijë njerëz me licencë, që do të thotë se pothuajse 8% e 5.6 milionë banorëve të Finlandës kanë një licencë për armë.

Sakaq, nuk ka asnjë kufi për numrin e armëve që mund të posedohen.

Deri më tani, ka pasur pak diskutime rreth shtrëngimit të legjislacionit për armët.

“Ne jemi krenarë për veten që jemi afër natyrës dhe gjuetia është pjesë e kësaj”, ka thënë Kiilakoski, duke shtuar se të shtënat me vdekje në Finlandë ishin të ulëta pavarësisht numrit të madh të armëve.

Tanimë, familjarët e djalit do të duhet të shpjegojnë se si pistoleta e tipit revolver hyri në zotërim të fëmijës.

Legjislacioni finlandez thotë se armët e zjarrit duhet “të mbyllen në mënyrë të tillë që arma e zjarrit të mos mund të vidhet lehtësisht”.

Ky duket se nuk ka qenë rasti.

Shkolla ku ndodhën të shtënat u rihap të mërkurën, pjesërisht për t’u dhënë nxënësve një shans për të bërë pyetje rreth asaj që kishte ndodhur.

Shumica dërrmuese e nxënësve u paraqitën.

Por teksa një djalë u shtri përtokë pa shenja jete dhe dy vajza mbeten në spital në gjendje të rëndë, finlandezët po kërkojnë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore