Lajme

Të premten mbyllet afati për aplikimin e 100 eurove në sektorin privat


Ilustrim.

Të premten e 20 majit, është dita e fundit në të cilën punëtorët e sektorit privat mund të aplikojnë për shtesën prej 100 euro.

Ministria e Financave, ka bërë të ditur se është themeluar Komisioni Zbatues “për vlerësimin e aplikacioneve dhe gjatë javës së ardhshme pritet të bëhet shqyrtimi i tyre dhe ekzekutimi i mjeteve”.

Qeveria e Kosovës, kishte bërë të ditur se deri më 11 maj për këtë shtesë kishin aplikuar mbi 290 mijë punëtorë ndërsa akoma nuk dihet se kur paratë do të shpërndahen për këtë kategori.

Gjithashtu, ekzekutivi më 12 prill mori vendim për ndarjen e një shume prej 100 eurosh për të gjithë pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik e privat si dhe personave në skemë sociale.

Pensionistët si kategori e morën të parët 100 eurot, ndërsa me pagën e prillit shtesën e morën  punëtorët e sektorit publik. Ndërsa vazhdon të jetë i hapur aplikimi për studentët deri më 3 qershor.

Më 7 maj, Ministria e Financave, kishte bërë të ditur se ka hapur aplikimin edhe për studentët e niveleve Bachelor, Master e Doktoraturë, për të përfituar nga mbështetja prej 100 eurosh.

Qeveria e Kosovës.

“Aplikimi është i hapur për të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt të cilët ndjekin studimet në ndonjërin prej institucioneve të akredituara publike apo private të arsimit të lartë në Kosovë. Aplikimi për mbështetje  bëhet në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Më 21 prill, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë kishte bërë të ditur se është hapur platforma online për aplikim për tërheqjen e shtesave prej 100 eurosh për punëtorët në sektorin privat.

Aplikimi për mbështetje do të duhej të bëhet në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale të të punësuarit në këtë vegzë.

Kusht për kualifikim ka qenë që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore në muajin shkurt 2022.

Kurse, punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, dhe subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022.

Ndihma e Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas një inflacioni të lartë që ka goditur vendin.

Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin mars në Kosovë është rritur për 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore