Lajme

Të mos tolerohet mbifaturimi i rrymës në Kosovë, qytetarët të organizohen, thotë KMDLNj


Ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), përmes një reagimi publik u ka bërë thirrje kosovarëve që të mos tolerojnë në asnjë mënyrë mbifaturimin e muajit të fundit të energjisë elektrike në Kosovë.

Shumë kosovarë janë ankuar në rrjetet sociale javëve të fundit se fatura e rrymës për muajin dhjetor u ka ardhur shumë më e lartë krahasuar me faturën e muajit të kaluar, apo të të njëjtit muaj vitin e kaluar, duke ngritur shqetësime se çmimi i rrymës mund të jetë rritur.

E sipas KMDLNj-së qytetarët duhet të kërkojnë rishikimin e faturave të fundit duke mos u mjaftuar vetëm me kundërshtim verbal.

“Qytetarët duhet të organizohen në mbrojtje të të drejtave të tyre duke protestuar deri në realizim të këtyre të drejtave dhe të kërkojnë përgjegjësi për shpërdoruesit. Për shkak të përsëritjes të keqpërdorimeve, qytetarët duhet të kërkojnë shkëputjen e kontratës me KEDS-in ashtu si ka ndodhur në vende të tjera ku qeveritë kanë mbrojtur interesin e qytetarëve, përkatësisht të konsumatorëve”.

Kosova, ka vlerësuar ndër të tjera KMLDNj, është e vetmja vend në rajon. por edhe më gjerë ku faturimi i rrymës nuk bëhet në bazë të asaj se sa është shpenzuar, por se cilit komunitet etnik i takoni.

“Ku shqiptarët, si shumicë absolute, diskriminohen në mënyrë dhe përmasa absolute. E për çfarë të drejta kushtetuese dhe barazi para ligjit mund të flasim”, potencohet ndër të tjera në reagimin e KMDLNj-së.

Ndryshe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) potencoi se vlera e faturës së muajit dhjetor është rritur si pasojë e “shpenzimit më të madh të rrymës” dhe mossubvencionimit të konsumatorëve kursimtarë nga Qeveria e Kosovës krahasuar me një vit më parë, pas ankesave të shumta nga konsumatorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore