Shqipëria

Të mërkurën takohen dy qeveritë shqiptare


Takimi i dy qeverive shqiptare në vitin 2020

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të takohen të mërkurën.

Në këtë takim gati të përvitshëm, dy qeveritë shqiptare do të mblidhen në qytetin e Gjakovës.

Sipas agjendës, takimet do të nisin në ora 11:00, kur edhe pritet të mbërrijë delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë në vend.

Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë – Shqipëri do të bëhet në ora 11:30 në Bibliotekën e qytetit, në Gjakovë.

Për në ora 12:40 është paraparë fotoja e përbashkët.

Në ora 12:45 në Teatrin e qytetit “Hadi Shehu” do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve ndërqeveritare.

Ndërsa konferenca e përbashkët për media e kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama do të mbahet në ora 13:15, po në këtë teatër.

Në kuadër të agjendës përfshihen edhe homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të Gjakovës, në ora 13:45.Në ora 14:00 dreka zyrtare, tek restorant “Hani i Haraçisë”, ndërsa në ora 16:00, takimi me kryetarët e komunave të zonave kufitare.

Ky takim ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama, do të jetë i pari, pas propozimit të këtij të fundit të një drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vitin e kaluar dy qeveritë shqiptare nuk u takuan, por në vitin 2021 takimi u mbajt në nëntor, në qytetin e Elbasanit.

Vitin e kaluar dy qeveritë shqiptare nuk u takuan, por në vitin 2021 takimi u mbajt në nëntor, në qytetin e Elbasanit.

Historiku i mbledhjeve

Në qytetin e Prizrenit, do të mbahej edhe mbledhja e parë e dy Qeverive.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me homologun e tij të asaj kohe, Hashim Thaçin, do të firmosnin “deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.

Kjo marrëveshje kishte në fokus fushën e transportit e infrastrukturën dhe bashkëpunimin tregtar.

Kryeministrat u pajtuan atëherë edhe për krijimin e një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës.

Mbledhja e dytë do të mbahej në vitin 2015, në qytetin e Tiranës.

Kryeministri i Kosovës në atë kohë, Isa Mustafa, do të pritej nga homologu i tij Rama, në qytetin e Tiranës, ku u firmosën 11 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

Vëmendjen e takimit do ta merrte tryeza e rrumbullakët, e cila do të vishej me simbolet e Bashkimit Evropian, ku në qendër të saj do të ishte shqiponja e zezë.

Në vitin 2016, nga qyteti i Prishtinës, Qeveria Rama do të pritej nga Mustafa.

Në atë mbledhje u evidentuan arritjet e deriatëhershme.

Gjithashtu u diskutua për gjetjen e mekanizmave të rinj për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Më pas, në 2017-ën, nga qyteti i Korçës, u mbajt mbledhja e katërt e përbashkët e Qeverive, me moton “Një Tokë-Një popull-Një ëndërr”.

Këtë herë, Qeverinë e Kosovës e drejtonte Ramush Haradinaj.

Ndërkohë në Pejë në vitin 2018, do të zhvillohej mbledhja e 5-të e përbashkët ndërmjet qeverive.

Punimet e kësaj mbledhjeje u përmbyllën me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve e protokolleve të bashkëpunimit dypalësh.

Pas takimit qeveritar në Pejë, mbledhja e dy Qeverive, në 2019-ën u mbajt në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, por nuk morën pjesë kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Zëvendëskryeministrat e atëhershëm, Erjon Braçe dhe Fatmir Limaj, drejtuan mbledhjen koordinuese.

Në vitin 2020, mbledhja do të zhvillohej në qytetin e Tiranës.

Ndërsa, sot, më 26 nëntor 2021, qyteti i Elbasanit do të mirëpresë dy qeveritë.

Fokusi i dy kabineteve qeveritare ishte në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, drejtësisë, infrastrukturës, kulturës dhe lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore