Lajme

Tahiri – Qeverisë: Ndalni eksperimentet, rritja e taksave është përshkallëzim i varfërisë


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës “ndalimin e eksperimenteve”.

Tahiri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se vetëm kur ekzekutivi ka një zhvillim ekonomik në nivelin e duhur mund të lejohet që të kemi rritje të taksave.

“Një ekonomie normale, qeverisë i lejohet t’i përdorë taksat si instrument, rritjen e tyre, në këto raste: a) ka zhvillim ekonomik; b) kur ka rritje të nivelit të punësimit dhe të ardhurave; c) kur ka bilanc pozitiv tregtar të shoqëruar me investime dhe prodhimtari, thjeshtë kur trendët sinjalizojnë zhvillim”.

Sipas tij, “kur këto i mungojnë një qeverisje, rritja e taksave është instrument i përhapjes dhe përshkallëzimit të varfërisë”.

Me ekonominë aktuale të Kosovës, Tahiri konsideron se Kosova nuk mund t’i rrit taksat.

“Një ekonomi e vogël nuk e ka luksin e vendosjes së taksave të larta, sepse nuk ofron kurrfarë atraksioni dhe konkurrushmërie me askënd”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në një konferencë për media ka sqaruar se si ka ardhur situata deri tek rritja e tatimit në pronë.

Murati, fajtor për rritjen e tatimit i ka lënë Qeveritë e kaluara të cilat ishin në pushtet, të cilat e kishin miratuar ligjin për tatimin në pronë në vitin 2018.

“Ligji i cili ka qenë i miratuar në vitin 2018 për tatimin në pronë. Pra, ky ligj fillimisht ishte miratuar me datën 4 maj të vitit 2018 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Mirëpo, ky ligj nuk kishte arritur të miratohet në Kuvendin e Republikës dhe të hyj në fuqi sepse Qeveria ishte rrëzuar dikund një javë më vonë, pra me datën 10 maj”.

Për të njëjtin ligj, ministri ka thënë se ishte dërguar sërish në Kuvend në kohën e qeverisjes së Haradinaj.

“Më pastaj i njëjti ligj është proceduar në Qeverinë Haradinaj, disa muaj më vonë dhe me 26 janar është publiku në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi ndërsa në Kuvend ishte miratuar gjatë muajit nëntor ose dhjetor”.

Rritja e çmimit të tatimit në pronë, vjen në një kohë kur në Kosovë kanë pësuar rritje të çmimeve edhe në produktet esenciale.

Si zgjidhje për ta përballuar këtë krizë ishte parë tërheqja e mjeteve të kursimit pensional, Trust-it, por që nuk u vonua në Kuvend pasi partia në pushtet e kundërshtoi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 5.7 për qind në muajin tetor.

Rritja më e lartë e çmimeve është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore