Lajme

Tahiri: Provokimet e Vuçiçit për Vallaçin, janë nxitje konflikti dhe kanë për qëllim ndarje


Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, i ka quajtur “provokime” dhe “shkelje të Marrëveshjes së Brukselit” deklarimet e Presidentit të Serbisë, se po planifikohet një operacion i mundshëm nga Qeveria e Kosovës për të marrur në kontroll nënstacionin të Vallaçit.

“Provokimet e (Aleksandër) Vuçiçit të Serbisë për nënstacionin e Vallacit nuk janë vetëm shkelje e marrëveshjes së Brukselit për energjinë”, ka shkruar Tahiri.

Por edhe më tej, thotë ish-kryenegociatorja, ato janë edhe “pjesë e skenareve të rrezikshme për krijimin e Serbisë së Madhe”,

Kjo, konsideron Tahiri, “përmes nxitjes së konfliktit në Veri të Kosovës”.

Ndërkaq, qëllimin përfundimtar Vuçiçi, sipas Tahirit, e ka “ndarjen” e Kosovës, sepse, siç beson ajo, njëjtë po vepron “edhe në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Këtë komentim Tahiri e bëri përmes një shkrimi në Facebook.

Ndërkaq përveç Aleksandër Vuçiç, edhe Millovan Dreçun ka thënë se kanë informacione se Kosova do të ndërmerr operacione konkrete “për të shtënë në dorë nënstacionin e energjisë elektrike të Vallaçit”.

“Çelësi i stabilitetit energjetik në pjesën veriore të Kosovës, nënstacioni në Valac në Komunë e Zveçanit është shënjestra e re Prishtinës”, kishte thënë Millovan Dreçun mëngjesin e së enjtes.

Dreçun thotë se problemi ka lindur më 6 maj, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin autorizohet KOST-i që të marrë përsipër pagesën e energjisë elektrike për qytetarët që nuk paguajnë rrymë.

“Ky afat skadon më 6 nëntor”, thotë Millovan Dreçun

“Kjo është arsyeja pse ka njoftime se Kosova mund të ndërmarrë veprime për të marrë kontrollin e të gjithë sistemit, por ato veprime sigurisht që nuk do të kalonin pa incidente dhe përdorimin e njësive speciale”, thotë mes tjerash ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore