Lajme

Tahiri nuk i ndahet Kurtit: Çfarë po bën ti i shkon për shtati Serbisë


Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës i është shndërruar në kokëçarjen që nuk po kalon kryeministrit të Kosovës.

Pas një debati të ashpër e me ofendime në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës, ku Albin Kurti i thoshte Abelard Tahirit “turp të kesh” e ky ia kthente “ulu aty”, Tahiri ka shkruar edhe në Facebook.

Gjithçka filloi me propozimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Institutit për Krime Luftë të kryera në Kosovë.

Propozimi u votua në lexim të parë në formën e projektligjit, por PDK nuk e votoi, sepse, sipas Tahirit, pjesë e këtij projektligji është një nen që nuk i shërben Kosovës, por Serbisë.

Institutit parashihet që të hetojë krimet e luftës deri me 31 dhjetor 2000, por lufta në Kosovë zyrtarisht ka përfunduar në qershor të atij viti.

Prandaj, Tahiri pyet “çfarë ‘krimesh të luftës’ po synon të hetojë Albin Kurti pas përfundimit të luftës në qershor të 1999?”.

“Si mund të kryhen krime të luftës pasi që lufta të ketë marrë fund?”, vazhdon pyetjet ai në llogarinë e tij në Facebook.

“Serbia ka kryer krime lufte e gjenocid në Kosovë deri në qershor të vitit 1999”.

Albin Kurti

“Përpjekja e Qeverisë së Albin Kurtit”, shkruan Tahiri “është përpjekje që i shkon përshtat pikërisht atyre që janë përgjegjës për gjenocidin në Kosovë”.

“31 dhjetori i 2000-tës, është epitomë e Serbisë që përpiqet t’ia ndërrojë kahjen historisë dhe të gjejë amnisti për gjenocidin e kryer”.

Kjo është arsyeja pse PDK “do ta kundërshtojë me çdo mjet politik tjetërsimin e historisë përmes ligjeve të dëmshme, antihistorike e antikombëtare”.

“Ty po të dhemb diku, ke siklet” – “Mjaft më o deputeti me shurdhuese. Turp të kesh”, Kurti e Tahiri përplasen në Kuvend

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore