Lajme

“Ty po të dhemb diku, ke siklet” – “Mjaft më o deputeti me shurdhuese. Turp të kesh”, Kurti e Tahiri përplasen në Kuvend


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës, derisa flitej për projekt-ligjin për themelimin e Institutit që Heton Krimet e Luftës në Kosovë.

Fillimisht papajtueshmëri ka pasur për teknikalitete të projekt-ligjit por shpejt debati ka rrëshqitur në akuza të ndërsjella.

Kurti ia ka përmendur edhe një herë Tahirit tërthorazi faktin se ka pasur armë me shurdhuese dhe me iniciale të tij derisa ishte funksionar në qeveritë e kaluara.

“S’keni kurrfarë legjitimiteti që ta merrni fjalën e të flisni gjepura këtu, mjaftë më, mjaft o deputeti me shurdhuese, mjaft. Turp duhet t’u vije”, i ka thënë Kurti Tahirit.

Në replikën e tij, Tahiri ia ktheu Kurtit se “duhet të jesh në siklet të madh”.

Kjo vërehet sipas Tahirit te fakti se po parashihet hetim për krime lufte në një kohë kur lufta veç kishte përfunduar në Kosovë.

“Me fut periudhë ku i hulumton krimet e luftës deri me 31 dhjetor të vitit 2000, duhet të jesh në siklet. Luftë në Kosovë nuk ka pasur pas qershorit. S’e di ku e ke gjithë këtë siklet. Me përcaktu Kosova këtë datë është marre e madhe për ty”.

Madje Tahiri e ka zhvleftësuar krejtësisht nismën e Qeverisë duke shtuar se po bëhet fjalë për “punësimin e disa militantëve” dhe jo diçka më shumë.

“Do futesh në histori si një njeri që ka hetuar krime lufte kur veç ka përfunduar lufta”, përfundoi replikën Tahiri.

Kurti sërish i është përgjigjur dhe sërish ia ka përmendur “shurdhuesen”.

“Një ish ministër i drejtësisë që gjithë Kosova e njeh si deputeti me shurdhues do duhej të pushonte e të mos fliste më”.

Përplasja mes Kurtit e Tahirit ka vazhduar edhe pasi kanë përfunduar replikat mes tyre. Derisa më vonë mori fjalën Saranda Bugujevci, nënkryetare e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ish-e plagosur nga forcat serbe, Tahiri ndërhynte derisa Kurti i ka reaguar duke i thënë se “16 plumba i kanë rënë kësaj, edhe ti qesh”.

Në fund të diskutimit, nga 69 deputetë në sallë, për projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë kanë votuar 58 deputetë, katër kanë qenë kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore