Kosova

Szunyog: “BE sërish ka rikthyer vëmendjen në Ballkanin Perëndimor”


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka theksuar se fokusi i BE-së është kthyer sërish në Ballkanin Perëndimor.

Këto komente, Szunyog, i bëri në ceremoninë e fillimit të javës së aktiviteteve për shënimin e ditës së Evropës në Kosovë e cila shënohet më 9 Maj.

Ai theksoi se BE-ja nuk është vetëm bashkim politik dhe ekonomik, por ajo promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin.

“Fokusi ynë është kthyer përsëri edhe në Ballkanin Perëndimor. Në këto vite sfiduese përmbyllëm me sukses tri paketa të ndihmës për Kosovën, të cilat kapin shifrën e përgjithshme prej 200 milionë eurosh. Jam shumë krenar edhe për liberalizimin e vizave, që është një arritje e Kosovës, por posaçërisht e qytetarëve. Mendoj se mund të jemi krenarë edhe për procesin e dialogut dhe zhvillimet e fundit. Mendoj se edhe në këto kohë të vështira, BE ka qenë e fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë”.

Ai shtoi se 9 Maji sivjet festohet në një situatë jo edhe aq të mirë, e cila po shkaktohet nga lufta Rusi-Ukrainë. Sipas tij, BE-ja ka qenë e shpejtë në reagimin e saj, edhe pse pati probleme ekonomike, si rritjen e çmimeve.

Meritat më të mëdha që Kosova të fitoj lirinë e lëvizjes në vendet Evropiane e ka Çekia, por fakti që kjo ndodhi gatë mandatit të Suedisë në presidencën e Bashkimit Evropian, ka deklaruar ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, në ceremoninë e fillimit të javës së aktiviteteve për ditën e Evropës në Kosovë.

Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë

Ambasadori suedez, Westerlund, tha se 9 Maji është një ditë shumë e rëndësishme për Evropën, “sidomos vitin e kaluar, dhe këtë vit, Evropa ka qëndruar e unifikuar kundër agresionit rus në Ukrainë”.

“Jam i lumtur qe presidenca suedeze është në favor të integrimit të vendeve të Ballkanit. Jam i lumtur për liberalizimin e vizave për Kosovën. Nuk dua të marrë shumë merita, sepse merita më të mëdha ka pasur presidenca çeke, por jam i lumtur që ndodhi gjatë presidencës suedeze”, u shpreh ai për medie.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përsëritur faktin që Kosova aspiron që një ditë të jetë pjesë e BE-së, por vendi duhet të bëjë reforma e të marrë mijëra masa që “një ditë të jemi pjesë e kësaj familjeje të vlerave”.

Glauk Konjufca, Kryetar i Parlamentit të Kosovës

“Kjo ditë është më të vërtetë e veçantë dhe me një simbolikë kuptimplotë sepse festohet fillimi i Bashkimit Evropian. Është një familje dhe një sistem i vlerave të përbashkëta, të cilat i ndajmë edhe ne që aspirojmë që t’i ndajmë një ditë. Sot është dita për ta kujtuar gjithë atë histori të krijimit të atij projekti të rëndësishëm, i cili nuk është vetëm projekt politik, por është projekt multidimensional, është projekt i vlerave, i kulturës, i interesave të përbashkëta, i të drejtave të njeriut, demokracisë”.

“Evropa për ne është siguri në të njëjtën kohë”, u shpreh kryeparlamentari.

“Kosova e ka pasur përcaktimin e saj gjithmonë për me qenë pjesë e BE-së, por kjo kërkon kushte, kërkon reforma, kërkon me mijëra masa që ne duhet t’i marrim si shoqëri, që të reformohemi, që një ditë të jemi pjesë e kësaj familjeje të vlerave”, tha ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore