Kosova

Sveçla: Pa asnjë hezitim, vendimet fillojnë të zbatohen nga 1 shtatori


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se nga 1 shtatori Kosova pritet të fillojë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.

Sipas tij, zbatimi i vendimit më herët është penguar nga strukturat kriminale që janë pasuruar dhe fuqizuar me ndihmën e Beogradit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Po, ka pasur tendenca destabiliteti nga struktura kriminale në veri të mbështetura dhe të drejtuara nga Beogradi e të shtyra nga Moska”.

“Por unë jam i bindur se institucionet e sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi, janë plotësisht të pjekura, të gatshme dhe mjaftueshëm të forta që të zbatojnë këto dy vendime”, tha ai për AlsatM.

Ndërkaq, sa i përket shtyrjes së vendimit për një muaj ai konsideron që arsyeja është që qytetarët të informohen sa më shumë për këto dy vendime.

Targat ilegale GL

“Unë jam i bindur se ata edhe e kanë kuptuar se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç që t’i nënshtrohen ligjit si çdo qytetar tjetër i Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, i pyetur për deklaratat e zyrtarëve të Serbisë, të cilët thonë se serbët në veri janë duke u diskriminuar, ai e mohoi një gjë të tillë.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë diskriminimi. Ne me aktivitetet tona nuk jemi të drejtuar kundër cilitdo qytetar pavarësisht përkatësisë etnike apo çfarëdo lloj përkatësie tjetër thjeshtë Policia e Kosovës është aty për të përmbushur detyrën e tyre kushtetuese, ajo është vendosja e rendit dhe ligjit dhe këtë po e bën suksesshëm pa kurrfarë diskriminimi, pa kurrfarë incidenti me qytetarët e asaj pjese po edhe të asnjë pjesë tjetër”.

Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiç janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.

Çka janë targat KM?

Targat me mbishkrimin “KM” (Kosovska Mitrovica) janë targa që Kosova deri i konsidero ilegale për arsye se Serbia i lëshon ato duke pretenduar Mitrovicën si pjesë territoriale të saj.

Targat “KM” prodhohen dhe lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sistemi i targave në Serbi është bazuar në qytetet dhe meqë ata e konsiderojnë Mitrovicën dhe në përgjithësi Kosovën, pjesë administrative të tyren, atëherë vazhdojnë të lëshojnë tabela me “KM”.

Ka dy lloje të këtyre tabelave – ato të vjetrat, që jepeshin para vitit 1999, por edhe me sistemin e ri të tabelave në Serbi, janë prodhuar përsëri targa me iniciale të qyteteve të Kosovës.

Në Kosovë, përkundër se shiheshin vetura në qarkullim me këso lloj targash, ato nga institucionet zyrtare janë konsideruar gjithmonë ilegale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore