Lajme

Sveçla flet me përfaqësues të lartë të SHBA-së për luftën kundër krimit dhe korrupsionit


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është takuar me përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe Byrosë kundër Terrorizmit si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Parë për Byronë e Sigurisë Diplomatike dhe Drejtorin e Shërbimit të Sigurisë Diplomatike, Carlos F. Matus.

“Shfrytëzova rastin ti falënderoj për bashkëpunimin, koordinimin e proceseve dhe profesionalizmin në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke përfshirë angazhimin tonë të vazhdueshëm në procesin e riatdhesimit të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre si dhe në përpjekjen tonë të përbashkët për të zbatuar me sukses evakuimin e qytetarëve afganë”, ka shkruar Sveçla në Facbook.

Sipas kreut të MPB-së, Chriss Landberg, Zëvendës Koordinator për Reagim ndaj Krizave dhe Politikave Teknike në Byronë e Kundër Terrorizmit, Departamenti i Shtetit të SHBA-së, theksoi se Republika e Kosovës dhe MPB janë partnerë të besueshëm dhe të fortë në përpjekjet e tyre për të luftuar terrorizmin.

“Ai theksoi faktin se Kosova është një shembull në rajon në lidhje me punën e bërë në fushën e luftimit të terrorizmit, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe riintegrimin dhe riatdhesimin e njerëzve nga Siria”.

Sveçla ka theksuar se në këtë takim u vlerësua lartë angazhimi i Republikës së Kosovës, si anëtare e “Koalicionit Global Kundër DAESH-it (ISIS/ISIL)” i cili dha rezultate konkrete në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe e pozicionoi Kosovën si një vend të qëndrueshëm dhe partner serioz në luftën kundër terrorizmit global.

“Ndërsa gjatë takimit me Matus, u vlerësua lartë bashkëpunimi me Kosovën në terren dhe gatishmërinë për sigurimin e shkëmbimit në kohë të informacionit si dhe Z. Matus përgëzoi gatishmërinë tonë për strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë si dhe përkushtimin në luftimin e krimit”.

I pari i MPB-së ka shtuar se “shkëmbyem pikëpamjet tona për fokusimin e mëtejmë në Policinë e Kosovës dhe po ashtu shprehëm nevojën për të vazhduar bashkëpunimin në projekte të përbashkëta në ngritjen e kapaciteteve të institucionit tonë në fushën e sigurisë, me fokus sigurinë kibernetike përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike”.

Ai ka potencuar se Kosova është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfshirjen e saj në programet që kontribuojnë në institucione efikase në luftimin e krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit që do të garantojnë siguri për rajonin dhe më gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore