Lajme

Sunao Tsuboi, i mbijetuari i shpërthimit në Hiroshima, ndërron jetë në moshën 96-vjeçare


Aktivisti japonez kundër armëve bërthamore, i cili i mbijetoi sulmit të parë me bombë atomike në botë, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare.

Asokohe, Sunao Tsuboi ishte rrugës për në kolegj kur u përfshi nga shpërthimi në Hiroshima më 6 gusht  të vitit 1945. Si pasojë, ai pati djegie në të gjithë trupin.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se nga shpërthimi mbetën afro 140 mijë njerëz të vrarë dhe kështu, Tsuboi ia kushtoi jetën e tij fushatës për zhdukjen e armëve bërthamore.

Ai u takua me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në vizitën e tij historike në Hiroshima si president.

Në atë takim të vitit 2016, ata i shtrënguan duart njëri-tjetrit dhe biseduan për rreth një minutë.

Dhe kjo ishte vizita e parë e një presidenti të SHBA-ve në qytet që nga ajo kohë.

“Isha në gjendje të përcillja mendimet e mia”, ka treguar më vonë Tsuboi, i cili luajti një rol udhëheqës në organizatën kombëtare të Japonisë për të mbijetuarit e bombës atomike dhe bombës hidrogjenore.

Shkaku i vdekjes së tij mësohet se ka qenë anemia, sipas një zyrtari nga shoqata për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Ai ishte veç një student 20-vjeçasr i inxhinierisë ditën kur shpërtheu bomba.

“U përpoqa të ikja për rreth tre orë më 6 gusht, por më në fund nuk mund të ecja më”, ka rrëfyer ai më parë për “AFP”-në.

Prandaj dhe mori një gur e me të shkroi në tokë “Tsuboi vdes këtu”, por ai u zgjua vetëm disa javë më vonë.

Tejet i dobët dhe i trembur, duhej të fillonte shërimin e tij duke praktikuar zvarritjen në dysheme.

Ndër vite, teksa kurohej nga anemia, Tsuboi u përball me kancerin dhe sëmundje të tjera në ditët e tij në spital.

“BBC” tregon se Tsuboi vazhdoi të jepte matematikë në shkollat ​​në Japoni, duke u treguar të rinjve për përvojat e tij gjatë luftës.

“Kurrë mos u dorëzo”, kjo ishte këshilla e tij për aktivistët kundër armëve bërthamore.

“Jo vetëm që duhet të mbajmë zi për vdekjen e një lideri të madh për kauzën tonë, por gjithashtu duhet të vazhdojmë në rrugën e tij dhe të kujtojmë gjithmonë fjalët e tij”, ka thënë Akira Kawasaki nga Fushata Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore.

Numërohen afro 127 mijë të mbijetuar nga sulmet me bomba bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, të cilët janë ende gjallë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore